Përveç bllokimit të korsive të lëvizjes, problem i madh mbeten edhe nënstacionet e autobusëve, të cilat po shfrytëzohen si vend parkime alternative nga veturat. Kur stacioni është i zënë, autobusët detyrohen të ndalojnë në mes të rrugës, duke krijuar rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e udhëtarëve

Urim HASIPI

Tetovë, 13 tetor – Bllokimi i rrugëve nga parkimet e gabuara po shndërrohet në makthin më të madh të transportit publik në Tetovë, duke e bërë lëvizjen e autobusëve të ndërmarrjes Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport” pothuajse të pamundur në disa akse rrugore. Ky fenomen shqetësues jo vetëm që krijon kaos në trafik, por po paralizon plotësisht funksionimin e rregullt të linjave urbane të autobusëve, vonesa dhe probleme tjera në trafik.

Shoferët e autobusëve shpesh përballen me situata absurde ku rrugët janë aq të ngushtuara nga makinat e parkuara në mënyrë të parregullt, shpesh herë edhe në dy radhë, aq sa autobusët e transportit publik mbeten të bllokuara pa pasur asnjë mundësi kalimi. Kjo sjellje e papërgjegjshme e një pjese të drejtuesve të veturave po shkakton vonesa të shumta në tërë korsinë e rrugës. Problem më i madh paraqitet në bulevardin “Ilinden”, ku edhe parkimi paralel është më I theksuar dhe aty autobusët ngecin derisa të lirohet rruga. Për këtë sfidë të përditshme, nga Ndërmarrja Publike “Tetova Transport” shprehin shqetësim të thellë për situatën në teren.

" "

Më tej nga kjo ndërmarrje thonë se po bëjnë të pamundurën që të ofrojnë një shërbim modern dhe me kohë, por kjo është e pamundshme kur rrugët bllokohen plotësisht. Sipas tyre, një autobus që nuk mund të kalojë për shkak të një makine të lënë në rrugë, prish orarin e të gjithë linjës dhe lë në pritje qytetarë tjerë nëpër stacione. Përveç bllokimit të korsive të lëvizjes, problem i madh mbeten edhe nënstacionet e autobusëve, të cilat po shfrytëzohen si vend parkime alternative nga veturat. Kur stacioni është i zënë, autobusët detyrohen të ndalojnë në mes të rrugës, duke krijuar rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e udhëtarëve.

Parkimi i automjeteve në këto hapësira pengon qarkullimin dhe ndalimin e rregullt të autobusëve, vështirëson hyrjen dhe daljen e udhëtarëve, si dhe rrezikon sigurinë e tyre. Nënstacionet e autobusëve janë hapësira të dedikuara për transportin publik dhe jo për parkimin e automjeteve private. Ju bëjmë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të tregojnë përgjegjësi dhe të respektojnë hapësirat e dedikuara për transportin publik.

Nga Ndërmarrja “Tetova Transport” bëjnë apel urgjent tek të gjithë drejtuesit të automjeteve që të ndalojnë këtë praktikë e cila shkakton shumë probleme. Rrugët dhe nënstacionet e autobusëve sipas tyre janë hapësira të dedikuara ekskluzivisht për transportin publik dhe funksionimin e qytetit, e jo për parkimin e veturave. Respektimi i rregullave të komunikacionit dhe lirimi i rrugëve nuk është vetëm obligim ligjor, por një kulturë elementare urbane që kontribuon në një Tetovë më të sigurt, më të rregullt dhe më efikase për të gjithë, thonë nga kjo ndërmarrje. (koha.mk)

sqShqip