April 29, 2024
Kosovë

Veterani i arsimit nga Ferizaji që hapi shkollë shqipe në Libinë e Gadafit (Foto)

E bujshme është jeta e bashkatdhetarit Shaban Kuqishta nga Begraca e Kaçanikut. Qysh si i ri, ai tregoi talentin dhe etjen e tij për t`u arsimuar, duke u regjistruar në Shkollën e lartë pedagogjike “Kliment Ohridski” në Shkup. Për shkak të kushteve të rënda ekonomike, të cilat ngarkoheshin edhe me presionin e autoriteteve jugosllave që shqiptarët të mos shkolloheshin, Shabanit iu desh që të ndërpriste studimet. Me shpresë se do të kontribuonte sadopak në arsimimin e brezave të rinj, në periudhën 1979/80 Shabani nuk hezitoi të shkonte në fshatin e largët të Korbliqit sa për t`i nxitur nxënësit për pasurim me njohuri të reja në lëndën e historisë.

Në vitin 1981, Shaban Kuqishta ishte i detyruar të braktisë atdheun dhe të zhvendoset në Libi. Po, po në Tripoli të Libisë, ku po sundonte Gadafi. Përpos se ishte pjesë e një ekipi mjekësor dhjetë vite me radhë ku po kryente punët e mirëmbajtjes së një spitali, Shabani gjeti kohë që të organizojë edhe krijimin e klasave shqipe në kuadër dhe si degë e Shkollës Fillore “Emin Duraku” nga Prishtina, ku do të ligjëronte shqip për rreth 40 nxënës të bashatdhetarëve tanë që gjendeshin në këtë shtet. Mësimi mbahej në klubin jugosllav të pagëzuar “Xhemajl Bjediq”.

Në vitin 1991, Shabani vendoset në Gjermani. Ishin kohë të vështira pasi duhej ballafaquar edhe me katrahurat e një shteti me mentalitet krejtësisht ndryshe nga atdheu. Përpos kësaj, ai ishte gjithnjë me mendje se çfarë po ndodhë në vendlindjen e tij, ku po trazohej gjithnjë e më shumë situata politike. Përkundër të gjitha këtyre vështirësive, pasi punoi në punë të ndryshme, Shaban Kuqishta më në fund në vitin 1994 e rregulloi statusin e lejeqëndrimit.

Edhe këtu, baca Shaban nuk hezitoi në asnjë çast që t`i rreket profesionit të mësimdhënësit, duke arsimuar në gjuhën shqipe me qindra nxënës të mërgimtarëve shqiptarë.

Aktualisht, Shaban Kuqishta është pensionist dhe po shijon një pleqëri të rehatshme, duke vizituar herë pas here vendlindjen. Gjatë gjithë jetës e shoqëroi bashkëshortja Feta, e cila është duke punuar me orar të shkurtër në një azil të moshuarish, si përcjellëse e personave me demencë, ndërsa deri në pesnion i kanë mbetur edhe 4 vite. Me gjithë se është në mërgim, ai i porosit të rinjtë që të mos e braktisin Kosovën, pasi ai te vetvetja e sheh këtë gabim që e ka bërë në jetë. “E di se rinia është në një situatë tepër të rëndë, por do t`i këshilloja që të bëjnë përpjekje për të mos u larguar nga vendlindja”, ka përfunduar Shaban Kuqishta enkas për portalin Shtegu.