Vedat Muriqi largohet në janar, Erik Botheim te Lazio?

Lazio thuhet se është në bisedime të avancuara me Bodo/Glimt për një lëvizje për Erik Botheim në janar, por njëherë klubi duhet të shesë Vedat Muriqin.

Biancocelestët kanë nisur punën për të përforcuar skuadrën në tregun e ardhshëm të transferimeve, për të kënaqur Maurizio Sarrin, i cili pritet të nënshkruajë një marrëveshje të re deri në qershor 2025 me klubin nga Roma.

Por trajneri ka kërkuar që klubi të investojë dhe Lazio, sipas Il Corriere dello Sport, është gati të bëjë një lëvizje për Botheim.

Sulmuesi norvegjez ka impresionuar kundër Romës në Ligën e Konferencës dhe Aquile thuhet se kanë hyrë në bisedime me Bodo/Glimt dhe janë në prag të arritjes së një marrëveshjeje për të nënshkruar me lojtarin këtë dimër.

Sulmuesi i ri do ta pranonte me kënaqësi destinacionin dhe Sarri do të ishte i lumtur ta kishte në dispozicion, sipas gazetës.

Problemi kryesor për Lazion ka të bëjë me mundësinë e nënshkrimit të lojtarëve të rinj, pasi ata duhet të shesin përpara se të blejnë.

Për të zhbllokuar marrëveshjen e Botheim me kampionët norvegjezë, Vedat Muriqi mund të jetë ai që sakrifikohet.

Reprezentuesi kosovar, i cili mbërriti në shtator të vitit 2020, ka luftuar për të bindur që nga transferimi i tij nga Fenerbahçe, por duket se më nuk është pjesë e planeve të Sarrit.