May 19, 2024
Maqedoni

Vazhdon kërkimi për tre personat e zhdukur në lumin Lepenc

Po vazhdojnë kërkimet për tre personat e zhdukur, vetura e të cilëve dje pasdite pas një aksidenti të ndodhur në rrugën Shkup-Bllacë ra në lumin Lepenc. Në veturë së bashku me drejtuesin ishin edhe tre udhëtarë ndër të cilët njëri fatmirisht arriti të shpëtojë ndërsa tre të tjerët akoma rezultojnë të zhdukur…

Bëhet fjalë për persona të cilët me automjetin me targa të Kosovës gjatë aksidentit të djeshëm kanë rënë në lumin Lepenc në rrugën Shkup – Bllacë. Sipas informacioneve nga Prokuroria Themelore Publike, deri te aksidenti ka ardhur kur vetura e tipit “folksvagen turan” me targa të Maqedonisë së Veriut ka tejkaluar një kolonë veturash.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti thotë se në perimetër prej 3.5 dri në 5 kilometra po realizohet kërkimi i këtyre 3 shtetasve të Kosovës. Maksuti thotë se në terren janë autoritetet e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, por ata shpresojnë që nesër me përmirësimin e motit ta gjejnë veturën sepse siç potencon ai po e bëjnë të pamundurën për t’i gjetur ata.

BEKIM MAKSUTI DREJTOR I DREJTORISË PËR MBROJTJE DHE SHPËTIM

“Nuk ka shenja akoma. Nuk flasim për shpresa dhe nuk mund të flasim për afate kohore. E dini shumë mirë para disa muajsh në një fatkeqësi të tillë, të ngjashme në komunën e Tetovës, ku një djalosh i ri nga Kumanova ra, pas ditës së 7 neve arritëm që ta gjejmë trupin. Pra neve nuk do të përfundojmë deri në mbylljen me sukses të këtij operacioni”

Një taksist nga Kosova sot në rrugën Shkup-Bllacë, respektivisht para tunelit ka treguar se çfarë ka parë gjatë ditës së djeshme në aksidentin mes dy veturave. Ai tha se fillimisht kanë parë vetëm veturën e aksidentuar “VW Touran” nga Shkupi, ndërsa më pas kanë vërejtur se një veturë ka rënë në lumë.

NAMAN AHMETI, DËSHMITAR

“Unë kam qenë duke ardhur nga Shkupi, minutat kanë qenë në pyetje që kur ka ndodhur aksidenti, të gjitha copat e plastikës i kemi parë në asfalt, copa të branikit, duke mos e menduar se është vetura atje poshtë. Kur e pamë një “Tauran” me tabela të Shkupit, ngjyrë hiri e mbyllur, ne menduam se vetëm ai është rrokur, por e shihnim dhe kërkonim edhe makinën tjetër. Kur ka piskatur nga atje poshtë, atje ku ka rënë vetura me njerëzit brenda, nuk shihej vetura, kjo shenjë shumë e keqe për mendimin tim, por ai që piskaste, për besë, po më vjen keq ta flas këtë fjalë, por nuk e kam pasur guximin që të afrohem as aty afër të shoh se e kam ditur se është e pamundur, se veç Allahu mund të iu ndihmojë dhe kushdo qoftë, jemi njerëz, ishalla çka vjen prej Zotit duhet të pajtohemi, veç duhet pasur shumë kujdes. Edhe timoni është një lloj arme për mendimin tim. S’kam koment më shumë”.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se është arrestuar personi B.B. nga Shkupi, i cili u përfshi në aksidentin e djeshëm në lumin Lepenc, ku si pasojë ende rezultojnë të zhdukur 3 shtetas të Kosovës, të cilët me veturë ranë në lum. Nga MPB shtojnë se personi i 4 që është shapërtuar është i moshës 16 vjeçe.

Nga Drejtoria e Qendrës për Menaxhim me Kriza deklarojnë se kërkimet po zhvillohen në kushte jashtëzakonisht të vështira. Ata thonë se lumi është i thellë dhe shumë i shpejtë që paraqet rrezik për zhytësit.