April 28, 2024
Maqedoni

Vazhdon greva në prokurori, grupit punues i është dhënë 10 ditë afat për të arritur marrëveshje

Greva në Prokurori vazhdon dhe ne nuk do të dorëzohemi nga kërkesa jonë dhe kur të fillojnë negociatat do të vendoset se si do të veprojmë. Megjithatë, deri në fillimin e negociatave greva do të vazhdojë, tha sot kryetari i Sindikatës së Administratës, Autoriteteve Gjyqësore dhe Shoqatave të Qytetarëve (SPAAGjSH) Tërpe Deanoski, në konferencën për media para Prokurorisë Themelore Publike ku u mbajt greva, transmeton Portalb.mk.

Deanoski tha se në mbledhjen e parë të grupit punues, për të cilin Qeveria dje njoftoi se do të formohet, do të kërkojnë përcaktimin e afateve.

“Në mbledhjen e parë do të kërkojmë përcaktimin e afateve. Ky grup pune duhet të përfundojë punën brenda një periudhe maksimale prej 10 ditësh pune. Nëse nuk i pranojnë kushtet tona, greva do të vazhdojë në mënyrë më rigoroze dhe nuk do të punohet në Prokurori. Presim që, nëse nuk arrijmë marrëveshje, kësaj greve t’i bashkohen edhe kolegët e gjykatave dhe të avokatisë. Kjo do të thoshte se i gjithë gjyqësori nuk do të kryente asnjë detyrë pune. Do të ndërpresim punën, do të bllokojmë edhe institucionet tjera, greva dita ditës do të bëhet më rigoroze dhe kemi paralajmërime se kësaj greve do t’i bashkohen edhe organet e tjera shtetërore”, tha Deanoski.

I pyetur nëse do të pranojnë më pak se 78 për qind nëse ofrohet, Deanoski tha se fillimisht do të presin të shohin se çfarë do të ofrojnë ministrat që do të jenë në grupin punues për negociata.

“Ata i dinë kërkesat tona. Nëse kemi ndonjë lëvizje, do të vendosin grevistët”, shtoi Deanoski.

Kryetarja e Organizatës Sindikale në Prokurorinë Publike pranë Sindikatës së SPAAGjSh-it, Izabela Ilieva, e përshëndeti vendimin e Qeverisë, por tha se puna nuk ka përfunduar plotësisht.

“Kemi kërkuar nga Ministri i Drejtësisë që shpejt të kalojë ligjin për prokurorinë publike, të cilin duhet ta negociojmë së bashku dhe në të cilin rregullohen pagat dhe shtesat tona. Ky është një mesazh për ministrin. Mesazhi i dytë është për ministrin e Financave. Nëse mendojnë se do të fillojmë të bëjmë pazare për rritje rroge 5 ose 10 për qind, atëherë të mos fillojmë fare. Kërkesat tona janë 78 për qind, me 35 për qind shtesa pagash. Le ta marrin seriozisht, ne nuk do të dorëzohemi dhe për këtë, ata nuk duhet të mashtrohen dhe të mos humbasin kohë. Ne japim maksimum 10 ditë pune për negociata”, tha Ilieva.

Kujtojmë se Qeverua njoftoi se në shtatë ditët e ardhshëm do të formohet grup punues e cila do të punojë në gjetjen e një zgjidhje në lidhje me kërkesat e punonjësve në gjykata, prokurori publike dhe në organet e administratës shtetërore.

Në grupi punues do të jenë ministrat e Drejtësisë, Financave, i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike si dhe përfaqësues të Sindikatës së ADSHQ-së.

Sindikata e punëtorëve të administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave të qytetarëve protestuan edhe të enjten në Shkup, prej ku kërkuan rritje të pagave për 78 përqind dhe kthim të shtesave të pagës.