Në Komunën e Likovës, operatori i sapoformuar One Konekt ka vazhduar gërmimet ilegale nëpër disa fshatra. Disa banorë kanë dërguar fotografi nga vendi ku eskavatori ka ndërhyrë në disa rrugë, duke shkatërruar inftrastrukturën publike. Komuan e Likovës thotë se Inspektorati Komunal ka dalë në terren dhe po punon për të konstatuar gjendjen faktike.

“Operatori kabllovik “One Konekt” ka vazhduar gërmimet pa leje në Komunë e Likovës. Një ekskavator është parë edhe ditën e diel. Ndërkohë Komuna e Lilivës ka hapur lëndë. Po procedohet konstatimi i shkeljes dhe ndërmarrja e masave ligjore”, raporton Zekirija Haxhiu, Gazetar.

Eskavatori që po shihni në foto është kapur dje në një rrugë të fshatit Mateç. Ekipi jonë inspektoi edhe punimet e realizuara tashmë nëpër fshatrat tjerë të Komunës së Likovës. Kamera jonë kapi gropimet që janë bërë javë më parë nga po e njëjta kompani në mes fshatrave Llojan-Vaksincë dhe Vaksincë-Sllupçan.

Nga kompania vazhdojnë të heshtin. Përmes komunikimeve telefonike në rrethana jo zyrtare na thanë se për të gjitha veprimet e tyre kanë leje përkatëse. Por Komuna e Likovës e ka përgënjeshtruar versionin e tyre. Thonë se në bazë të informacioneve të para, kompania nuk ka leje për gërmim dhe se inspektorët kanë dalë në terren për ta vërtetuar shkeljen e mundshme ligjore. Nga Komuna e Likovës thonë se çdo subjekt është i obliguar ta respekton ligjin dhe si autoritet mbeten të përkushtuar që kjo të respektohet nga të gjithë.

" "

“Inspektoratit të Komunës së Likovës ka dalë në terren për inspektim me qëllim verifikimin e dokumentacionit, lejeve të nevojshme dhe respektimit të procedurave ligjore që kanë të bëjnë me realizimin e punimeve infrastrukturore. Pavarësisht licencimit qendror, çdo subjekt është i obliguar të respektojë edhe procedurat dhe lejet e nevojshme në nivel lokal. Komuna e Likovës mbetet e përkushtuar ndaj: respektimit të ligjeve dhe rregulloreve që kanë të bëjnë me punimet infrastrukturore, dhe mbikëqyrjes së rregullt të të gjitha aktiviteteve të subjekteve që veprojnë në territorin e komunës”, njoftojnë nga Komuna e Likovës.

Kompania në fjalë është themeluar në fund të muajit tetor. Për veprimtarin e saj si operator ka marrë leje transmetimi nga Agjencia për Komunikime Elektronike, por nga Komuna e Likovës nuk ka siguruar asnjë leje për gropim dhe instalim të infrastrukturës përçuese. Jo zyrtarisht operatori i njëjtë ka provuar edhe më herët të hyn ilegalisht në Komunën e Likovës por është ndaluar nga autoritetet lokale dhe organet e rendit. Banorët e disa fshatrave të Likovës janë duke shqyrtuar mundësinë e protestave për shkak të shkatërrimit të infrastrukturës rrugore dhe moskthimin e saj në gjendjen e mëparshme pas ndërhyrjeve në mënyrë ilegale. Për veprimet e kompanisë mësoj se është duke punuar edhe Sektori për Punë të Brendshme në Kumanovë dhe Stacioni Policor në fshatin Mateç. /Alsat.mk

sqShqip