May 2, 2024
Maqedoni

UT priti mysafirë nga Italia, Portugalia dhe Turqia

Një grup nxënësish të shkollave fillore nga Italia, Polonia, Portugalia dhe Turqia, pjesë e projektit ndërkombëtar Erasmus +, bashkë me nxënësit e Shkollës fillore “Ismail Qemali” nga fshati Nerasht i Komunës së Tearcës, si nikoqir i tyre e vizituan Universitetin e Tetovës.
Nxënësit bashkë me arsimtarët e tyre kishin zgjedhur që në kuadër të vizitave nëpër institucione të ndryshme ta vizitojnë edhe Universitetin e Tetovës. Me këtë rast, ato u pritën nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Shefik Shehu dhe koordinatorja e Erasmus+ në universitetin tonë, Mr. Sc. Shpresa Ademi.
Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Shefik Shehu, në fjalën e tij drejtuar nxënësve fillimisht i përgëzoi për interesimin që të bëhen pjesë e programit Erasmus +. Ai, në pika të shkurtra bëri një retrospektivë të ngjarjeve se si është zhvilluar Universiteti i Tetovës, që nga themelimi në vitin 1994 e deri në ditët e sotme. Ai tha se Universiteti ynë në rrafshin e ndërkombëtarizimit ka shënuar progres dhe tani përveç se jemi pjesë e shumë projekteve për mobilitet të stafit akademik dhe studentëve, siç janë Erasmus +, Fullbright, Mevlana e të tjerë, kemi krijuar ura miqësie dhe bashkëpunimi edhe me shumë universitete prestigjiozë nga rajoni, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai i inkurajoi nxënësit që të përfshihen në projekte të tilla, me qëllim që në të ardhmen si studentë të përfitojnë nga mundësitë që ofrohen, për t’u avancuar profesionalisht në karrierën e tyre.