May 17, 2024
Maqedoni

Lloga – Siljanovskës: Zonjë e panderuar, nuk meritoni votë

Të ftuar në ClickPlus, Krenar Lloga e Zeqirja Ibrahimi debatuan për deklaratën e Gordana Siljanovska Davkova, kandidate për presidente nga VMRO, ku tha se do të ketë tribunal ndërkombëtar për luftën e 2001.

Lloga tha se kjo retorikë nacionaliste është e VMRO-së dhe duhet të dënohet dhe shtoi se Davkova flet si kandidate VMRO-së dhe jo si individ.

“Ajo zonjë e panderuar nuk meriton votë pikë dhe këtë duhet ta thonë kaq shkurt kaq qartë, por kanë frikë”, tha Lloga.

Por kjo u kundërshtua nga Zeqirja Ibrahimi ku tha se nuk kanë frikë, por reagimi i Lloga ishte i menjëhershëm ku i kërkoi Ibrahimit që ta përsëris pas tij “Zonja në fjalë nuk meriton votë”.

“Si koalicion vendimi është se është përfunduar gara e zgjedhjeve presidenciale. Unë nuk jam individi që vendosi në emër të koalicionit. Për VLEN nuk ka garë të zgjedhjeve presidenciale”, tha Ibrahimi.

Së pari ndryshimet kushtetuese, më pas Qeveria – thotë Lloga

Lloga nga Fronti Europian shtoi se duhet respektuar marrëveshja e nënshkruar mes liderëve shqiptarë – që nuk bëhen pjesë e asnjë qeverie pa u miratuar ndryshimet kushtetuese.

Kështu, Lloga rikonfirmoi qëndrimin se Fronti Europian fillimisht përkushtohet për ndryshimet kushtetuese, dhe më pas për formimin e Qeverisë.

“Ajo çfarë është nënshkruar nga liderët e partive politike shqiptare, edhe qëndron dhe është shumë e thjesht: ose do të respektohet ajo marrëveshje ose do të kemi shkelje të asaj për të cilën jemi marrë vesh. Ne si Front kemi thënë – së pari ndryshimet kushtetuese dhe më pas formimi i Qeverisë”, tha Lloga. /Nistori/