Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dërgoi një mesazh urimi me rastin e 11 Tetorit – Ditës së Kryengritjes Popullore, duke kujtuar se kjo festë na kujton vlerat mbi të cilat ndërtohet një shoqëri demokratike dhe e drejtë, lirinë, solidaritetin, respektin e ndërsjellë dhe bashkimin.
“Sot shënojmë 11 Tetorin, Ditën e Kryengritjes Popullore, një nga datat më të rëndësishme në historinë maqedonase, simbol i guximit, qëndresës dhe vendosmërisë së popullit për të luftuar për lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen e vet. Kjo festë na kujton vlerat mbi të cilat ndërtohet një shoqëri demokratike dhe e drejtë: liria, solidariteti, respekti i ndërsjellë dhe bashkëjetesa. Këto janë vlera që edhe sot duhet të na udhëheqin në ndërtimin e shtetit dhe në krijimin e një të ardhmeje më të mirë për brezat që vijnë”, thotë Gashi.
Është detyrimi ynë që me respekt ta ruajmë kujtimin për të gjithë ata që luftuan dhe u flijuan për lirinë, ndërsa guximin e tyre ta shndërrojmë në përgjegjësi, unitet dhe përkushtim ndaj zhvillimit demokratik, sundimit të së drejtës dhe së ardhmes evropiane të vendit tonë.
“Vetëm përmes bashkimit, respektit të ndërsjellë dhe respektimit të dallimeve mund të ndërtojmë një shoqëri në të cilën çdo qytetar do të ndihet i vlerësuar në mënyrë të barabartë dhe do të ketë mundësi të kontribuojë në përparimin e përbashkët. Le të jetë 11 Tetori një kujtesë se liria dhe dinjiteti janë vlera që duhet t’i kultivojmë dhe t’i mbrojmë vazhdimisht. Të gjithë qytetarëve ua uroj 11 Tetorin, Ditën e Kryengritjes Popullore, me dëshirat më të mira për paqe, mirëqenie dhe prosperitet”, thuhet në urimin e kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi.

