May 9, 2024
Maqedoni

Universiteti i Tetovës mohon akuzat për kurdisje të zgjedhjeve për Rektor

Komisioni Universitar kompetent për realizimin e procesit të zgjedhjes së Rektorit të Universitetit të Tetovës mohon akuzat kandidatëve Bashkim Ziberi, Myqereme Rusi dhe Dervish Alimi që personat në krye të organeve udhëheqëse të këtij universiteti po favorizojnë kandidatin e përfolur si i BDI-së, Jusuf Zejnelin.

“Ne si organ zgjedhor, kemi krijuar kushte të barabarta për çdonjërin nga kandidatët që marrin pjesë në këtë garë, duke u dhënë mundësi të gjithëve që ta zhvillojnë fushatën e tyre zgjedhore, prezantimin e platformave të tyre programore, realizimin e debateve të ndryshme dhe shfrytëzimin e të gjitha kapaciteteve që universiteti ynë i posedon”

Sipas tyre, secili kandidat është trajtuar në mënyrë të barabartë dhe të njëjtëve ju është mundësuar që të dërgojnë vëzhgues në të gjitha fakultetet.

“Për t’u shmangur çdo lloj parregullsie në këtë proces, në përputhje me kriteret e konkursit, secili nga kandidatët ka pasur të drejtën që të caktojë vëzhgues në të gjitha fakultetet ku do të zhvillohen zgjedhjet, sikurse kanë pasur të drejtë ankese edhe për çdo paqartësi ligjore.”

Ndryshe, sot kandidatët Bashkim Ziberi, Myqereme Rusi dhe Dervish Alimi për ALSAT thanë se ish-Rektori, tani kryetar i Senatit të UT-së, Vullnet Ameti, bashkë me ushtruesin e detyrës së Rektorit, Kushtrim Ahmeti, po ndërhynë drejtpërdrejt në procesin zgjedhor, duke lobuar që të fitojë kandidati Jusuf Zejneli.

Për Rektorin e ardhshëm të UT-së, do të votohet nesër nga ora 12:00 deri në 14:00.