May 2, 2024
Kolumna

Ukraina do të ngadhnjejë!

Shkruan: Prof.dr. Agim Nuhiu

Në korrik 2021 Vladimir Putin, u shfaq me esenë e tij me titull “Mbi unitetin historik të rusëve dhe ukrainasve”. Ajo në fakt ishte një analizë e historisë së marrëdhënieve ruso-ukrainase duke proklamuar qëndrimin e tij se ukrainasit janë një pjesë e lashtë, e pandashme e kombit rus. Putin vazhdon më tej, se historia e dy popujve është e përbashkët dhe lidhja midis tyre kalon nëpërmjet gjuhës, identiteti etnik, kulturës, fesë ortodokse, etj. Prishjen e kësaj lidhjeje ai e paraqet si frymëzim ekskluzivisht nga aktorë të jashtëm.

Pra, Putin në esenë e tij, pretendon të argumentoi se njerëzit e të dy vendeve ndajnë një histori dhe identitet të përbashkët dhe se Ukraina ishte shkëputur padrejtësisht nga Rusia përmes forcave anti-ruse dhe se këta dy vende duhet të ribashkohen!

Qëndrimi i tij është se Ukraina e sotme për formën e saj territoriale i detyrohet periudhës sovjetike dhe se ajo ka përfituar nga “rikthimi” i tokave të lashta duke lëshuar kritika për politikën gjuhësore të qeverisë së Kievit, për “asimilimin e detyruar” të rusëve etnikë dhe krijimin e një shteti etnikisht të pastër ukrainas, agresiv ndaj Rusisë, për autoqefalinë e Kishës Ortodokse të Ukrainës…

Putin përcjellë në artikullin e tij qëndrimin se në rast të prishjes së marrëdhënive ruse-ukrainase sipas syrit rus, Ukraina do të duhet të kthehet në kufijtë e saj të vitit 1922, sepse sipas tij Ukraina ka përfituar nga territoret e “grabitura” të Rusisë.

Nuk do mend se përcaktimi i Presidentit rus është pushtimi i plotë i Ukrainës dhe vendosja e një rendi të ri dhe marrëdhënie të re me botën sipas projeksioneve para viteve 1980.

Në anën tjetër SHBA-ja nuk ka qëndruar duarkryq. Vetëm gjatë vitit të kaluar ajo ka dhënë mbi 650 milionë dollarë ndihmë sigurie për Ukrainën. SHBA-ja, Aletatet e NATOS dhe BE-ja sigurisht se do të duhet të vazhdojnë edhe më fuqishëm të ofrojnë ndihmë për sigurinë në Ukrainë edhe pse sanksionet nuk janë mjet i parëndësishëm (ata janë me efekt parandalues, përgjegjësie dhe ndëshkimi për Putinin).

Ndërkaq, për Bashkimin Evropian, politikat strategjike nuk duhet ta humbasin dominimin karshi vonesave burokratike brenda vetes. Ukrainës nuk do të mund t’i mohohet e drejta e zgjedhjes së lirë të aleatëve ekonomik dhe politik, por gjjthësesi nuk duhet lënë hapsirë konfliktit të vazhdueshëm institucional me Rusinë!

Ukraina të ndihmohet me çdo mjet. Ajo do të mbijetojë – për këtë nuk ka dyshim edhe sikur të vendoset një regjim kalimtar nga okupuesi rus. Të gjithë njerëzit liridashës janë me Ukrainën dhe ata janë shumicë në botë.