April 30, 2024
Kolumna

UÇK është mbarë kombi shqiptar

MA. Agim ALIÇKAJ

Veprimet në Parlamentin e Dardanisë janë të shëmtuara e të papranueshme
Disa deputet të pasjellshëm të PDK-së, të përkrahur nga disa deputet të njejtë të partive të tjera opozitare dhe shërbëtorët e tyre në media, e kanë humbur rrugën në oborr. Kot mundohen të fshihen pas Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kot shesin pallavra se kinse ata na qenkan UÇK-ja!! Populli i di mirë punët e tyre të ndyta anti-shtetërore dhe anti-kombëtare. I shkelën me të dyja këmbët vlerat e luftës së UÇK-së.

UÇK JANË: -Të gjithë luftarët e lirisë nga të gjitha trojet tona, prej momentit kur bisha e egër serbe zbriti nga malet Karpate në tokat shqiptare;

-Të gjithë të burgosurit politik; Foshnjet, fëmijët, vajzat, gratë, burrat dhe pleqtë e paaramatosur të dhunuar, të torturuar, të djegur për së gjalli;

-Kontribuesit e mjeteve financiare për blerjen e armëve kudo, sidomos në Amerikë;

-Bartësit e snajperave me kamion nga Las Vegasi në Los Angeles dhe me avion për Tiranë, tutje deri në frontin e luftës;

-Mbrojtësit e UÇK-së në Kongresin Amerikan me Joe DioGuardin dhe Shirley Cloyes DioGuardin; dhe shumë përkrahës nga Mërgata në gjithë botën.

Pra, UÇK ËSHTË MBARË KOMBI SHQIPTAR.

Kërkesa për dorëheqjen e Ministres së Jashtme Donika Gërvalla është qesharake e ulët dhe pa kurrëfarë baze. Deklarata e saj para disa vjetëve nuk ka të bëjë aspak me UÇK-në dhe luftën e lavdishme gjithëpopullore. Dhënia e informatave për krimet e mundëshme politike është obligim i çdo qytetari, pa marrë parasysh çfarë pozite mbanë. Qëllimi i këtyre mjeranëve është FRIKËSIMI, e thotë znj. Kimete Berisha në stilin e saj karakteristik, origjinal, te drejtpërdrejt dhe PA FRIKË.

Nuk frikohet bija e trimit të pavdekshëm Jusuf Gërvalla. Nuk frikohet askush tjetër. Nuk frikohet populli i Dardanisë nga dështakët. Ata nuk e kuptojnë se efekti i veprimeve të tyre të shëmtuar në parlament është i kundërt. Populli vetëm sa neveritet dhe bindet edhe më shumë për vendimin e drejt të rrëzuarjes së tyre nga pushteti. Të dështuarit në pozitë, dalin edhe më të dështuar në opozitë. Në vend se të kërkojnë falje për veprimet e tyre 22 vjeçare në shkatërrimin e shtetit, të bëjnë ndryshime dhe të fillojnë të punojnë për së mbari.

Këta e paskan indoktrinuar dhe manipuluar edhe Rininë e PDK-së për të dërguar dosje dhe libër me krimet serbe te zyrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme. E kanë huqë adresën. Këto materiale është dashur të adresohen te Vuçiqi, Thaqi, Rama dhe Mustafa, kanë patur kohë 22 vjet. Tashti le t’i adresojnë te ata dhe te zyrja e Enver Hoxhajt. Pritet dhe shpresohet se Kryetari shpresëdhënës i LDK-së Lumir Abdixhiku ta pastrojë LDK-në nga mbeturinat e shkatërruesit të LDK-së dhe shtetit të Kosovës, Isa Mustafës. Nëse PDK vazhdon me këto veprime të ulta anti-kombëtare, do të përshëndetet me pushtetin për sa të jetë jeta.

Këto janë përpjekje dëshpëruese për të përçarë listën Guxo dhe Vetëvendosjen, për ta dobësuar luftimin e korrupsionit dhe agresorit serb, për ta penguar ngritjen e shtetit nga qeveria Kurti. Do të dështojnë me turp, sepse këta e kanë përkrahjen e popullit shumicë.

Shovenisti serb Vuçiq e ka të qartë se, pas shkuarjes së Grenellit, Thaqit dhe Mustafës, dhe ardhjes së Bidenit, Vjosës dhe Albinit, edhe luftën diplomatike e ka të humbur. Duhet pritur veprime agresive dhe trazira nga huliganët serb me qëllim të destabilizimit të shtetit të Dardanisë.

Donika Gërvalla është nderi dhe krenaria e kombit. Vjosa Osmani dhe Albin Kurti janë shpëtimtarët e shtetit të Dardanisë dhe kombit shqiptar. Këtyre ju bashkangjiten edhe Shaip Kamberi, Ardita Sinani dhe Zijadin Sela, të gjithë bashkë në shërbim të kombit.