May 27, 2024
Maqedoni

Turma pacientësh në Klinikat e Shkupit pas virusit

Rikthimi i klinikave nga qendra kovid në normalitet ka rikthyer turmat e pacientëve, të cilët presin për kontrolle apo shërbime tjera. Të gjitha kontrollet që janë shtyrë për shkak të pandemisë, realizohen tani, ndërsa shumë shërbime kryhen vetëm në kryeqytet. Shumica e të anketuarve janë nga qytete të ndryshme.

“Jam nga Prilepi. Këtu kisha incizim kompjuterik më caktuan termin dhe mbarova punë menjëherë. Tani kthehem në shtëpi. Tre orë e gjysmë rruga nga Prilepi është. Përmes Kërçovës, gjithkund ndalon. Ka shumë shpenzime, shpenzime për rrugë, për këtu. Gjithsesi ne kërkojmë në qytetin tonë të ketë shërbime, shumë larg është këtu”.
“Vij nga Kratova, prej atje një orë e gjysmë dy shkon…është harxhim, çfarë të bëjmë e kemi patjetër”.

“Nuk kanë punuar për shkak të krizës deri tani, nuk kishte termine. Me datën 3 e pata të caktuar, dhjetë ditë prita. Për shkak të koronës nuk kam mundur t’i bëj analizat sepse nuk kanë punuar”.

“Unë jam nga fshati Çashkë por jetoj në Veles 40 vite tashmë. Kam ardhur për operim të syrit. Këtë ndërhyrje duhej ta kisha bërë në mars, por për shkak të pandemisë mu shty operacioni. Nëse dikush udhëton me taksi për në Shkup, paguan diku rreth 1200 denarë”.

Për të shmangur radhët e gjata të pacientëve që vijnë nga jashtë Shkupit dhe kaosin e krijuar, Klinika e Hematologjisë në Shkup aplikon sistemin e quajtur “E-ambulanta” përmes së cilit, të gjithë pacientët informohen online për gjendjen e tyre dhe detyrohen të vijnë vetëm për ndërhyrje apo shërbim i cili nuk mund ta marrin në qytetin e tyre.

E-ambulanta” e Hematologjisë paraqet një lidhje mes shëndetësisë primare dhe asaj terciare, ku mjeku amë mund të kontaktojë në çdo moment një mjek specialist hematolog, të konsultohet me të në lidhje me ndonjë terapi, diagnozë, apo rezultat për ndonjë pacient i cili nuk ka mundësi të paraqitet në Klinikë. Ideja është që të kursejmë edhe kohë edhe shpenzime sidomos pacientët që vijnë nga qytete të tjera terapinë mund ta vazhdojnë në vendin ku jetojnë pa mos pas nevojë të vijnë deri në Shkup – tha Flutim Kadriu, Drejtor ekonomik i Klinikës së Hematologjisë në Shkup.

ALSAT disa ditë me radhë kërkon nga platforma “Termini Im” të dhëna se sa terminë janë shtyrë si pasojë e pandemisë në verë dhe sa është numri që lëshohen për një ditë, megjithatë përgjigje nuk morëm. Në mungesë të koordinimit administrativ, pacientët shëtitën me kilometra për shërbime edhe më të zakonshme./Alsat