April 27, 2024
Rajon - Botë

Trump mban tubimin e tij të parë pas largimit nga Shtëpia e Bardhë: Do ta marim sërish Amerikën!

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në tubimin e tij të parë pas largimit nga Shtëpia e Bardhë foli për pretendimet lidhur me numërimin e votave në zgjedhjet e fundit dhe kritikoi politikat e presidentit Joe Biden dhe Partisë Demokratike, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke iu drejtuar mijëra personave në qytetin Wellington në Ohio, Trump përsëriti pretendimin e tij se humbja e tij në zgjedhjet e mbajtura në nëntor 2020 u shkaktua nga mashtrimet në numërimin e votave. “Zgjedhjet i fituam dy herë dhe ne duhet t’i fitojmë për herë të tretë. Kjo është e mundur”, tha Trump.

Në fjalimin e tij ish-presidenti tërhoqi vëmendjen në rritjen e numrit të emigrantëve që mbërrijnë në SHBA duke kaluar kufirin jugor të vendit. “Ka miliona njerëz që vijnë në vendin tonë. Nuk kemi asnjë mendim se cilët janë ata. Joe Biden bën të kundërtën e asaj që kemi bërë ne”, tha Trump.

Duke e akuzuar presidentin amerikan Biden për “nënshtrim” ndaj Kinës, Trump tha se performanca e tij në arenën botërore është “turpëruese”.

Në tubimin ku Trump nuk qartësoi nëse do të kandidojë apo jo përsëri, ai inkurajoi votuesit se Partia Republikane do të sigurojë sërish shumicën në Senatin e SHBA-së dhe në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Do ta marrim sërish Dhomën, Senatin dhe Amerikën. Këtë do ta bëjmë së shpejti”, u shpreh Trump.