May 4, 2024
Sport

Trajneri i njohur kroat, Andrej Panadiç, për Open-TV flet për FC Ferizajin, Superligën e Kosovës, Kombëtarën e Kosovës…

Trajneri i njohur kroat nga Zagrebi, Andrej Panadiç, në një intervistë ekskluzive për Open-TV ka folur për FC Ferizajin, Ligën e Kosovës, Kombëtarën e Kosovës…

Andrej Panadiç: Erdha në Kosovë në fund të muajit të dhjetë të vitit të kaluar. Isha i ftuar që të ndihmoj klubin, i cili ndodhej në një situatë të vështirë, duke pasur parasysh se ishin të fundit në tabelë, minus 6 pikë. Qëllimi ishte të përpiqemi të mbesim në Superligë. Fillimi ishte i vështirë, pasi udhëhoqa ekipin pas dy-tre stërvitjeve dhe pas dy-tre ditësh erdhi ndeshja e ardhshme. Kështu që nuk ishte e thjeshtë, ndërsa duhej të njoftohem me lojtarët, stilin e jetës, kulturën… Nuk ishte e thjeshtë që të fillojmë menjëherë dhe të shkojë siç është më së miri. Duhet ta kuptoja mënyrën se si funksion futbolli në Kosovë, prandaj mu deshë një periudhë, e cila erdhi pas pjesës së parë të kampionatit, ku së bashku i zhvilluam përgatitjet në Dojran të Maqedonisë. Atje pata një pasqyrë më të mirë të lojtarëve, disa që nuk na nevojiteshin të shkojnë, ndërsa disa që na duheshin të vijnë. Bëmë një ‘roster’ solid, që për mua në atë moment ishte  mjaftë tërheqës dhe kam pasur optimizëm të madh kur i përfunduam përgatitjet. I zhvilluam rreth 10 ndeshje miqësore dhe lojtarët e pranuan mirë sistemin e ri, 3-5-2 që na konventonte për lojtarët që i kishim në ‘rosterin’ tonë.
Askush nga ne nuk ka pritur se do të mbesim në ligë, sepse dallimi në pikë ishte shumë i madh, megjithate nga minus 6 pikë erdhëm në plus 23, që askush se kishte pritur. Kemi fituar ndeshje që askush se mendonte se do të fitojmë, disa normalisht edhe i kemi humbur, pasi presioni në lojtarë ishte tejet i madh. Erdhëm aty ku askush se kishte pritur, pasi praktikisht të gjithë na kishin llogaritur të fundosur, megjithate ne ia kemi prishur llogaritë klubeve të tjera dhe askush s’ka besuar se Ferizaji do të jetë për mbijetesë. Megjithate, e vetmja ndeshje që ka vendosur nëse do të mbesim në Ligë  ishte kundër Lirisë së Prizrenit, të cilën ndoshta e kemi luajtur më së dobti prej që jam unë këtu. Kur tani ndalem dhe mendoj se presioni që ishte në lojtarët, që ishin të rinj, ishte tepër i lartë dhe mendose se u dogjën nga dëshira për të treguar atë që dinë më së miri. Për fat të keq nuk ia arritën, në penallti humbëm, mirëpo potenciali i klubit është i madh. Njerëzit janë munduar të bëjnë hapin e duhur, që mendonin se nuk është i mundur, dhe ishim shumë afër saqë të gjithë jemi të pikëlluar, sepse na mungoi një milimetër që na ndante nga mbetja në Ligë dhe ndeshjen e fundit nuk luajtëm si duhet, ashtu siç kemi luajtur gjatë gjithë gjysmësezonit-në nivel të lartë. Ishin 6-7 lojtarë nën 21 vjeç në atë ndeshje finale dhe presioni e bëri të vetën, nuk e arritëm atë që të gjithë e shpresonim-të mbesim në ligë.