Mbrojtja e Hashim Thaçit ka bërë kërkesë te Gjykata Speciale për lirim me kusht duke ofruar një mori garancish, përfshirë 50 mijë euro dorëzani. Mbrojtja ka argumentuar se garancitë e ofruara janë të ngjashme me ato që kishin paraqitur edhe bashkë të akuzuarit e Thaçit në rastin e “pengimit të drejtësisë” – Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi – të cilët u liruan me kusht gjatë vitit të kaluar.
Sipas njoftimit të Gjykatës, mbrojtja ka garantuar se Thaçi nuk do të largohet nga territori i Kosovës, do ta dorëzojë pasaportën dhe çdo dokument tjetër udhëtimi.
“Thaçi do të japë një adresë ku do të banojë në Kosovë për kohëzgjatjen e procedurave gjyqësore dhe do të kërkojë leje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar para çdo ndryshimi të vendbanimit”, thuhet më tej në garancitë e mbrojtje.
Mbrojtja ka thënë se Thaçi është i gatshëm të japë edhe siguri financiare në shumën prej 50 mijë eurove.
Gjithashtu, është garantuar se Thaçi nuk do të ketë asnjë lloj komunikimi me të bashkëpandehurit e tij në akuzat për pengim të drejtësisë Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu e Hajredin Kuçi, si dhe nuk do të ketë komunikim me dëshmitarët apo të dyshuarit në rastet e tjera që po i trajton Gjykata Speciale.
“Thaçi nuk do të diskutojë, përveç me anëtarët e caktuar të ekipit të tij të mbrojtjes, thelbin e çështjes së tij, përfshirë anëtarët e ngushtë të familjes, dhe do të njoftojë këdo që bën pyetje në lidhje me çështjen e tij se ai i nënshtrohet një ndalimi të tillë nga Gjykata”, thuhet në kërkesën e mbrojtjes.

