May 8, 2024
Maqedoni

Tetovë, rritet çmimi për parkim! Kasami para zgjedhjeve premtoi se do të jetë falas

Dy muaj pasi erdhi në krye të Komunës së Tetovës, kryetari Bilall Kasami, ngriti çmimet e parkingjeve në qytet. Kasami tha se me këtë nuk do të dëmtohet xhepi i qytetarëve, por do të kontribuohet në vendosjen e rregullit në komunikacion dhe parking.

“Pjesërisht do të ketë rritje, por njëherësh t’i informoj qytetarët që me vendim të Këshillit komunal do të ulet ora e parkimit, për momentin është deri në 10, do të ulet për 1 orë dhe qytetarët në mbrëmje do të kenë një orë më shumë që do të mund të parkohen pa pagesë”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës

ÇMIMORJA PËR PARKINGJET E MBYLLURA:

ZONA A: Çmimi për një orë nga 30 në 40 denarë

ZONA B: Çmimi për një orë nga 20 në 30 denarë

ZONA C: Çmimi për një orë nga 15 në 20 denarë

Edhe çmimi për parkimin zonal në zonën A dhe B është rritur për 10 denarë. Por kështu nuk ishin premtimet e Kasamit para se ai zë zgjidhej si i pari i Tetovës. Tre ditë para zgjedhjeve lokale u premtoi qytetarëve se parkimi në Tetovë do të jetë falas derisa komuna të gjejë zgjidhjen e problemit me parkingjet.

“Edhe unë këtë po ua them nga studio juaj të gjithë qytetarëve të Tetovës nga moment i ardhjes në Tetovë të Bilall Kasamit deri sa nuk gjejmë parking për çdo veturë nuk do të ketë pagesë të parkingut në Tetovë”, theksoi Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës (14 tetor 2021).

Sipas planit që ka paraparë Komuna e Tetovës për vitin 2022 për zgjidhjen e çështjes së parkingut, është që me buxhetin e komunës të ndërtohen tre garazheve në kate për parking, 2 në Tetovë dhe 1 në Kodrën e Diellit.