May 8, 2024
Rajon - Botë

Tërmeti në Nepal, numri i viktimave rritet në 157

Numri i të vdekurve nga tërmeti që goditi Nepalin mbrëmjen e së premtes është rritur në 157, me rreth 200 të plagosur, tha policia lokale të shtunën, raporton Anadolu.

Tërmeti me magnitudë 6.4 ballë që goditi Nepalin perëndimor, shkaktoi lëkundje edhe në vendet fqinje.

Zëdhënësi i policisë së Nepalit, Kuber Kadayat tha për Anadolu se numri i viktimave ka arritur në 157 dhe 199 persona u plagosën. Ai tha se operacionet e shpëtimit po vazhdojnë në zonat e prekura. Lëkundje të forta u ndjenë në pjesë të Indisë veriore.

Kryeministri i Nepalit, Pushpa Kamal Dahal shprehu pikëllimin e thellë për “dëmet njerëzore dhe materiale” të shkaktuara nga tërmeti. Zyra e tij shkroi në X se Dahal mobilizoi të tre agjencitë e sigurisë për shpëtim urgjent dhe ndihmë për të plagosurit.

Qendra Kombëtare Sizmologjike e Indisë tha se një tërmet me magnitudë 6.4 ballë ka ndodhur në orën 23:32 sipas kohës lokale të premten në një thellësi prej 10 kilometrash me epiqendër në Nepal.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi tha se ishte thellësisht i pikëlluar nga humbja e jetëve dhe dëmet e shkaktuara nga tërmeti në Nepal. “India qëndron në solidaritet me popullin e Nepalit dhe është e gatshme të ofrojë të gjithë ndihmën e mundshme”, tha Modi.

Ambasadori i Kinës në Nepal, Chen Song shkroi në X se Kina fillimisht do të sigurojë materiale ndihme me vlerë prej 100 milionë rupi nepalez (757.300 dollarë) për zonën e goditur nga tërmeti. “I gjithë ky material do të arrijë brenda dy ditësh. Më shumë ndihma janë në rrugë e sipër”, shtoi ai.

Nepali, një vend me rreth 30 milionë banorë, shpesh është goditur nga tërmetet vdekjeprurëse në të kaluarën. Në vitin 2015, si pasojë e një tërmeti shkatërrues humbën jetën rreth 9.000 njerëz dhe mijëra të tjerë u plagosën.