IDENTITETI KOMBËTAR NUK SHITET.
SHQIPTARIA NUK NEGOCIOHET! 🇦🇱

Të jesh shqiptare nga Maqedonia e Veriut nuk është një identitet që mund të negociohet, relativizohet apo të tjetërsohet sipas interesave politike të dikujt.
Unë kam nënshtetësi të Maqedonisë së Veriut, ku nacionaliteti im shënohet shqiptare, dhe kam nënshtetësi amerikane. Të parët e mi kanë prejardhje nga Shqipëria. Por mbi të gjitha, unë jam shqiptare, me gjak, histori, identitet dhe përkatësi kombëtare shqiptare.
Është një dhimbje e thellë kur shqiptarët e Maqedonisë së Veriut etiketohen si maqedonas, sikur identiteti ynë kombëtar të ishte një zgjedhje administrative apo një çështje që mund ta vendosin të tjerët për ne. Por dhimbja bëhet edhe më e madhe kur këtë mohim e pranojnë, e mbështesin apo e promovojnë vetë ata që duhet ta mbrojnë shqiptarinë.
Nuk ka dhimbje më të madhe se kur identiteti kombëtar bëhet monedhë këmbimi dhe shqiptari e shet shqiptarin për interesa politike!
Të parët e mi kanë dhënë jetën për shqiptarët. Unë jam formuar me idealet kombëtare të trashëguara brez pas brezi. Shqipëria për mua nuk është një emër që përdoret për retorikë, as një flamur që ngrihet vetëm kur sjell përfitime. Shqipëria është ideal, përgjegjësi, histori dhe dashuri e pakushtëzuar.
Nuk kam bërë dhe nuk do të bëj kurrë pazare me identitetin tim kombëtar. As me pushtetin, as me politikën, as me askënd!
Ata që më kërkojnë të hesht për Shqipërinë, të mos merren me rrjetet e mia sociale. Zëri im nuk është në shitje. Ideali im nuk është në dispozicion të tregtarëve politikë. Dhe shqiptaria ime nuk ka nevojë për lejen e askujt.
Unë jam e lumtur që zëri im po dëgjohet, që mbi 300.000 lexime, mbi 3.000 pëlqime dhe shumë komente dëshmojnë se shqiptarët ende e ndiejnë fuqinë e fjalës, të dijes dhe të idealit kombëtar.

Faleminderit të gjithë vëllezërve dhe motrave që më vlerësojnë, që e ndajnë këtë ideal dhe që nuk e harrojnë Shqipërinë, pavarësisht se ku jetojnë.
Faleminderit edhe atyre që, përmes injorancës, analfabetizmit politik apo diplomave të blera, përpiqen ta zhvlerësojnë fjalën time. Sepse dija nuk blihet, dinjiteti nuk shitet dhe kombi nuk tradhtohet pa pasoja morale.

Kam bërë doktoraturën gjashtë vjet në Tiranë. Udhëtoj pothuajse çdo muaj, sepse nuk mund të jetoj pa gjuhën shqipe, pa aromën e Shqipërisë, pa rrënjët e mia dhe pa atë lidhje shpirtërore që më bashkon me kombin tim.
Unë nuk e mbroj Shqipërinë për të fituar duartrokitje. E mbroj sepse është pjesë e identitetit tim. Sepse nuk mund ta mohoj atë që jam. Sepse nuk mund të hesht kur shqiptaria përdoret, tjetërsohet apo shitet për interesa politike.
Shqiptaria nuk është pasaportë. Është ndërgjegje kombëtare!
Shqiptaria nuk është tregti politike. Është trashëgimi dhe përgjegjësi!
Shqiptaria nuk është dekor. Është identitet!

" "

Edi Rama, ik!
SHQIPËRIA ËSHTË MË E MADHE SE TI! 🇦🇱

Doc. Dr. Gjyla Çeliku

sqShqip