Turqia nuk dëshiron një valë të re sulmesh amerikane ndaj Iranit dhe zhytjen e mëtejshme të rajonit në jostabilitet. Kështu deklaroi sot presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, duke zbuluar se shqetësimin e tij ia ka përcjellë personalisht presidentit amerikan, Donald Trump, gjatë bisedave të fundit telefonike.
Erdoğan foli para gazetarëve në avionin presidencial, gjatë kthimit nga vizita në Azerbajxhan. Sipas informacioneve të publikuara nga kabineti i tij, ai ka bërë të ditur se gjatë dhjetë ditëve të fundit ka zhvilluar tri biseda telefonike me Trumpin, ku ka ngritur edhe çështjen e mundësisë së përshkallëzimit të ri të luftës me Iranin.
“Ne nuk dëshirojmë të shohim një valë të re sulmesh ndaj Iranit dhe që rajoni ynë të përfshihet sërish në paqëndrueshmëri. Në çdo rast theksojmë se problemet mund të zgjidhen përmes dialogut dhe diplomacisë. Fatkeqësisht, edhe një herë jemi dëshmitarë të një zhvillimi negativ të ngjarjeve. Po bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për ta parandaluar këtë”, deklaroi Erdoğan.
Ai shtoi se Ankaraja ua ka bërë të qartë të dyja palëve se është e gatshme të përfshihet në përpjekjet diplomatike dhe të ndihmojë në hapjen e rrugës drejt një zgjidhjeje paqësore.
“Shpresojmë që arsyeja të mbizotërojë dhe rajoni ynë të largohet nga buza e greminës. Një konflikt më i madh nënkupton vetëm më shumë humbje për rajonin”, theksoi presidenti turk.
Erdoğan paralajmëroi se pasojat e luftës nuk i ndiejnë vetëm palët ndërluftuese, por edhe një hapësirë shumë më e gjerë gjeografike, nga Turqia dhe vendet e Gjirit Persik, përmes Irakut dhe Sirisë, deri në Evropë dhe Azi.
“Çmimin e luftës nuk e paguajnë vetëm ata që luftojnë. Një hapësirë e madhe gjeografike është prekur nga të gjitha këto zhvillime”, tha Erdoğan.
Deklarata e presidentit turk vjen në një kohë kur janë intensifikuar kontaktet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, ku një rol të rëndësishëm ka edhe Katari.
Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, sheiku Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, sot pritet të takohet me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë. Gjithashtu është paraparë edhe një takim me zëvendëspresidentin amerikan, JD Vance.
Ndërkohë, presidenti amerikan po dërgon mesazhe të ndryshme lidhur me mundësinë e rifillimit të operacioneve ushtarake. Në një intervistë për CNN të dielën, Trump deklaroi se është pak e mundshme që SHBA-ja ta sulmojë sërish Iranin, nëse negociatat përparojnë dhe arrihet një marrëveshje e qëndrueshme.
Sipas raportimeve të Reuters, Irani ka paraqitur një propozim të ri për përfundimin e konfliktit, por zyrtarët amerikanë për momentin nuk shohin mundësi për një marrëveshje të shpejtë.
Propozimi i Iranit parasheh që SHBA-ja të ndërpresë bllokadën ndaj porteve iraniane, të ndalojë sulmet ajrore dhe të lehtësojë sanksionet. Në këmbim, Teherani do të heqë bllokadën e Ngushticës së Hormuzit dhe do të mundësojë rifillimin e trafikut detar.
Diplomacia iraniane propozon që negociatat të vazhdojnë brenda dy ditësh, ndërsa çështjet më të diskutueshme, përfshirë programin bërthamor, të trajtohen në një fazë të mëvonshme të bisedimeve.

