May 17, 2024
Maqedoni

Taravari, kritika Osmanit për planin 9 pikësh të OSBE-së

Kandidati për president nga koalicioni “Vlen”, Arben Taravari, në konferencë për shtyp ka kritikuar oponentin e tij, Bujar Osmanin, për planin 9 pikësh të OSBE-së për deeskalimin dhe normalizimin e veriut të Kosovës, për çka siç tha Taravari ka reaguar edhe Prishtina zyrtare. Sipas Taravarit, autorësinë e këtij plani, që atëkohë ishte komplet antipod me situatën dhe me interesat e Kosovës, respektivisht shqiptarëve, e ka konfirmuar Osmani në një rrëshqitje të qëllimshme përgjatë një emisioni televiziv parmbrëmë në Kosovë. Kjo përpjekje e tij për të treguar se si ministër i Jashtëm ka kontribuar edhe për stabilitetin në rajon, është një e vërtetë e hidhur për qytetarët e vendit tonë dhe shqiptarët kudo, tha Taravari.
“Në planin e tij për deeskalim në muajin qershor të vitit 2023, pra rreth 4 muaj para se të ndodhte sulmi terrorist i shtatorit në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici dëshmor, Afrim Bunjaku, Bujar Osmani ka propozuar: 1. Kosova të tërheqë policinë speciale që në atë kohë përkujdesej për sigurinë e qytetarëve që po cenohej nga bandat kriminale serbe, 2. Për sigurinë në terren që në atë kohë ishte e cenueshme dhe me rrezikshmëri të lartë ka propozuar  që përgjegjës të jetë policia e rregullt, me ndihmën e KFOR-it dhe EULEX -it.”, – deklaroi kandidati për president i “Vlen”, Arben Taravari.
Sipas Taravarit, këto janë gabime të mëdha diplomatike, pasi një plan i tillë u refuzua në tërësi nga Qeveria e Kosovës. Tani jemi në situatën ku themi fatmirësisht që ai plan nuk u pranua dhe nuk u realizua nga Qeveria e Kosovës, sepse sipas Taravarit, ai plan vetëm për deeskalim nuk ishte. Taravari tha se koordinimi i tij gjithmonë është me shtetet shqiptare dhe veçanërisht me Prishtinën zyrtare.