Blendi Aliji, i lindur më 3 korrik 2012 në Kumanovë, po konsiderohet si një nga talentet më premtuese të futbollit të ri në këtë qytet. Që në moshën 7-vjeçare, ai iu bashkua klubit K.F. Kumanova, nën drejtimin e trajnerit Ismet Zeqiri, ku vazhdon të zhvillohet dhe të forcojë aftësitë e tij teknike e taktike.

Blendi njihet për karakterin e tij luftarak, disiplinën, përkushtimin dhe aftësinë për të dhënë maksimumin në çdo ndeshje. Ai luan me sukses si stoper dhe mesfushor, ndërsa aktualisht është pjesë e ekipit U14 të K.F. Kumanova, ku konsiderohet ndër lojtarët kyç të skuadrës.

Falë paraqitjeve të tij mbresëlënëse, përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut ka shprehur interes për të që prej vitit të kaluar. Në qershor 2025, Blendi mori pjesë në një kamp stërvitor gjashtëditor në Strumicë, ndërsa më 6 nëntor 2025 u ftua sërish nga përfaqësuesja për dy ndeshje miqësore ndaj Serbisë Juglindore, ku Maqedonia regjistroi një fitore 3:1 dhe një humbje. Në të dyja përballjet, Blendi spikati me lojën e tij të qetë, të zgjuar dhe me nivel të lartë teknik.

Në karrierën e tij të re, Blendi është katër herë fitues i çmimit “Lojtari më i mirë” në turne të ndryshme. Vitin e kaluar, bashkë me ekipin e tij K.F. Kumanova, ai u shpall kampion në kategorinë U13, sukses në të cilin kontribuan edhe bashkëlojtarët Anik Isufi dhe Ubejd Muadini.

Shokët dhe trajnerët e njohin me pseudonimin “Luani i Kumanovës”, për mënyrën e tij të fortë, të vendosur dhe të palodhur në fushë – gjithmonë me shpirt fituesi.

Por Blendi nuk shkëlqen vetëm në sport. Ai është edhe nxënës i shkëlqyer, fitues i shumë medaljeve të arta në lëndë të ndryshme shkollore, duke dhënë shembullin më të mirë të një të riu me vlera, disiplinë dhe përkushtim.

Në prapaskenë të çdo suksesi qëndrojnë prindërit e tij, të cilët e mbështesin fuqishëm në çdo hap të rrugëtimit të tij sportiv dhe arsimor, duke besuar fort në ëndrrën e Blendit për të arritur majat e futbollit./TELEVIZIONI NEWS

sqShqip