May 18, 2024
Kosovë

Takimi trepalësh në Bruksel/ Vuçiç: Bisedimet përfunduan pa sukses

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përfunduan pa sukses “në kuptimin e gjetjes së një rruge të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve”.

“Ne të gjithë i kemi propozimet tona, shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Takimi ka përfunduar”, u tha Vuçiç gazetarëve.

“Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit të komunave [me shumicë] serbe. Ky është thelbi i gjithçkaje. Serbia nuk ik nga detyrimet e saj”, shtoi ai.

Dy udhëheqësit u takuan të enjten në Bruksel – për herë të parë pas më shumë se katër muajsh.
Kurti dhe Vuççq zhvilluan paraprakisht takime të ndara me ndërmjetësuesit e procesit, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Sot do të shohim nëse ata janë gati të marrin përgjegjësi”, shkroi Borrell në platformën X, e njohur më herët si Twitter.

Sipas njoftimit të BE-së, temë e takimit trepalësh është zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiçit në muajin shkurt./ REL