May 13, 2024
Kosovë

Fehmi Kupina, zgjidhet kryesues i Kuvendit të Prishitnës në raundin e tretë

Asambleja Komunale e Prishtinës me 22 vota pro dhe 8 abstenime ka zgjedhur kandidatin e pavarur, Fehmi Kupina për kryesues të Kuvendit Komunal të kryeqytetit, pas dy raundeve të dështuara.

Këtë pozitë, Kupina po e merr për herë të dytë, për çka u zotua se do të vazhdojnë të punojmë me seriozitet dhe përkushtim maksimal për të mirën e përgjithshme publike në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Me rastin e zgjedhjes kryesues i Kuvendit Komunal të Kryeqytetit, Kupina në një fjalë rasti tha se kushtetutshmëria, ligjshmëria, transparenca, llogaridhënia, funksionimi demokratik dhe bashkëpunimi i thellë me anëtarët e Kuvendit dhe me ekzekutivin mbeten parimet kryesore me të cilat do të funksionojë gjatë ushtrimit të detyrës së tij.

Kupina: Do të punojmë me seriozitet dhe përkushtim maksimal për të mirën e përgjithshme

“Kur interesi i Prishtinës bëhet interes i yni i përbashkët, ndërsa nuk vjen në shprehje interesat politike partiake, përfitimet apo kalkulimet individuale, të propozohem dhe zgjidhem kryesues i këtij kuvendi. Rizgjidhja për kryesues të kuvendit të kryeqytetit është detyrim dhe përgjegjësi për çka zotohem sot para jush dhe qytetarëve të Prishtinës se do të vazhdojmë të punojmë me seriozitet dhe përkushtim maksimal për të mirën e përgjithshme publike në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, transparenca dhe llogaridhënia, funksionimi demokratik dhe bashkëpunimi i thellë dhe i ndërsjellë që me secilin anëtar të këtij kuvendi në njërën dhe me ekzekutivin në anën tjetër kanë qenë, janë dhe do të jenë parimet e punës sime gjatë ushtrimit të funksionit të kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Prandaj, iu garantoj se do të jem i hapur për bashkëpunim të mirëfilltë me secilin prej jush”, tha Kupina.

Përfaqësuesja nga Lëvizja Vetëvendosje, Nora Kelmdni tha se pas dështimit në raundin e dytë për emërimin e kryesuesit të Kuvendit të Prishtinës, do të vazhdojnë me raundin e tretë.

Ajo tha se në votimin e tretë, zgjidhet kandidati i cili merr më shumë se gjysmën e votave të anëtarëve të kuvendit të pranishëm dhe që votojnë për propozimin në mbledhjen e kuvendit.