May 14, 2024
Kosovë

Tensionet Rama-Kurti, anulohet mbledhja e përbashkët e dy qeverive në Gjakovë

Është anuluar mbledhja e përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, që ishte planifikuar të mbahej ditën e nesërme në Gjakovë.

Burime mediatke nga qeveria shqiptare kanë thënë se nuk e kanë në plan që të udhëtojnë për në Prishtinë për këtë mbledhje. Pala kosovare nuk ka qenë e njoftuar për këtë sepse sot paradite kryeministri Albin Kurti e konfirmoi mbajtjen e mbledhjes.

Shkak dyshohet të ketë qenë tensionet e dy kryeministrave Edi Rama dhe Albin Kurti në lidhje me draftin e propozuar nga kreu i qeverisë shqiptare për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

I pyetur ditën e sotme për këtë temë Albin Kurti nuk e kurseu sarkazmën ndaj Edi Ramës ku u shpreh: “Unë besoj se Rama beson që propozimi i tij është i mirë. Por nëse është kështu le t’ia propozojë atë presidentit serb Vuçiç në një nga mbledhjet e përbashkëta të Ballkanit të Hapur, që ta zbatojë për shqiptarët e Preshevës, Bujanovcit edhe Medvegjës. Pikërisht për këtë kryeministrin e Shqipërisë e detyron edhe neni 8 pika 1 e kushtetutës së Shqipërisë”.

Ndërsa, një ditë më parë, kryeministri Edi Rama në aktivitetin e 32-vjetorit të PS-së, shprehu hapur keqardhjen për faktin se si Vuçiç dhe Kurti kishin refuzuar draftin e tij për asociacionin pa e lexuar përmbajtjen.

“Më vjen mirë që përpjekja për të dhënë një kontribut konkret për dialogun është pritur mirë nga aleatët. Ndërsa atyre që e kanë kundërshtuar, pa e ditur përmbajtjen si në Prishtinë dhe Beograd duke thënë se nuk duan të dëgjojnë për një propozim nga Shqipëria, u them dy gjëra. Së pari, ata që flasin kështu jetojnë akoma me komunizmin në kokë kur politika merrej me kush e tha dhe jo me çfarë tha. E dyta ky rajon është edhe i yni, edhe i disa të tjerëve. Nëse atyre u vjen më për mbarë të luajnë akoma luftash ndërkohë që as njëra palë dhe as tjetra nuk i hapin dot njëra tjetrës jo luftë por asnjë të shtënë që kapërcen kufijtë sepse aty është Amerikë dhe NATO. Aleatëve po u soset durimi. Unë u them se nuk jemi fare të interesuar për lojë luftash por jemi kundër asaj lufte.” – deklaroi Rama.