Përfaqësuesi i VLEN-it dhe zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, ka deklaruar se si pjesë e pushtetit synojnë të rrisë performancën në qeverisje dhe të realizojnë premtimet e dhëna para qytetarëve.
Në emisionin “N’podium” në Ora 24, ai tha se, pavarësisht kritikave nga opozita, VLEN po funksionon mirë dhe fokusi mbetet te puna në pushtetin ekzekutiv.
“VLEN është duke funksionuar shumë mirë dhe koncentrimi ynë është ta rrisim performancën në qeveri. Pati rikonstruim dhe kemi ministra të rinj dhe realizojmë atë që kemi premtuar para qytetarëve”, tha Sulejmani.
Duke komentuar kritikat e opozitës shqiptare ndaj VLEN-it, ai u shpreh se opozita, sipas tij, duhet të fokusohet më shumë në problemet e brendshme.
“Opozita e dobët nuk ka tjetër me çka të merret dhe e ka gjetur një mënyrë si ta godasë VLEN-in, por kjo nuk kalon. Ata duhet më shumë të koncentrohen në radhët e tyre, sepse përçarje realisht ka atje”, deklaroi Sulejmani.
Ai përmendi edhe ndryshimet brenda strukturave të opozitës shqiptare, duke iu referuar AKI-së.
“Në AKI nuk është më Ziadin Sela, as Menduh Thaçi dhe më mirë t’ia bartin brengën vetes se sa të merren me VLEN-in”, u shpreh Sulejmani.

