Labearta Hasanramaj nga Strellci i Epërm, Komuna e Deçanit, ka përfunduar me sukses specializimin në fushën e Menaxhmentit dhe Administratës Publike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë këtij specializimi, ajo ka përfituar njohuri bashkëkohore në menaxhimin institucional, administratën publike, qeverisjen e mirë dhe politikat publike, fusha me rëndësi të veçantë për zhvillimin e institucioneve moderne.
Labearta ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në SHBA, në çdo aktivitet dhe organizim ka përfaqësuar Kosovën, duke prezantuar para universiteteve, shoqërisë civile dhe organizatave të ndryshme tema që lidhen me rolin dhe fuqinë e grave të Kosovës.
Ajo ka folur për pjesëmarrjen e grave në institucione, kontributin e tyre gjatë luftës, dhunimet që kanë përjetuar, si dhe për forcën dhe qëndresën që kanë dëshmuar ndër vite.
Sipas saj, ky angazhim ka qenë një përgjegjësi personale dhe profesionale për të përcjellë realitetin dhe vlerat e grave kosovare në arenën ndërkombëtare.
Labearta ka njoftuar se së shpejti do të kthehet në Kosovë për të vazhduar angazhimin në këtë fushë, duke theksuar se njohuritë e fituara në SHBA duhet të shërbejnë për fuqizimin e zërit të gjeneratave të reja.
“Gjeneratat e reja kanë nevojë të dëgjohen dhe të mbështeten”, ka deklaruar ajo.
Arritja e saj vlerësohet si shembull i përkushtimit dhe punës së vazhdueshme të të rinjve nga Kosova, ndërsa familjarë, miq dhe bashkëvendës i kanë uruar suksese të mëtejshme në rrugëtimin profesional dhe në shërbim të vendit.

