Studenti shqiptar Edon Rexhepi diplomoi me mesatare 10.00 në Universitetin e Shkupit dhe u shpall Student i gjeneratës në Fakultetin Ekonomik.
„Rruga drejt mesatares 10,00 është jashtëzakonisht sfiduese dhe nuk përmblidhet vetëm në mësim intensiv përpara provimeve, por kërkon punë të vazhdueshme dhe disiplinë gjatë gjithë vitit akademik“, thotë Edon Rexhepi, studenti më i mirë në Fakultetin Ekonomik, drejtimi Financa, i cili diplomoi me mesatare absolute dhe mori mirënjohjen për studentin më të mirë të gjeneratës 2022-2026, transmeton portali Lideri.mk.
Rexhepi në një bisedë për Fakulteti.mk tregoi për përvojën e tij në Fakultetin Ekonomik.
Të shpallesh studenti më i mirë i gjeneratës në Fakultetin Ekonomik është një nder i madh dhe mirënjohje për të gjithë mundin e investuar përkushtimin dhe këmbënguljen. Është një ndjenjë e mbushur me krenari, por njëkohësisht bart edhe përgjegjësi të madhe. Kërkohet menaxhim i mirë i kohës, gatishmëri për sakrifica të caktuara në jetën private dhe sociale, si dhe aftësi për t’i bërë ballë presionit të vazhdueshëm mental. Sfida më e madhe nuk është përvetësimi i lëndës, por ruajtja e të njëjtit nivel të lartë të përkushtimit dhe cilësisë në çdo lëndë. Gjatë studimeve ndieja edhe besimin dhe pritshmëritë e familjes sime, miqve, kolegëve dhe profesorëve. Mbështetja e tyre ishte një motiv i fuqishëm për të ecur përpara, dhe sinqerisht shpresoj se me rezultatet e arritura i kam arsyetuar pritshmëritë e tyre – thotë Rexhepi.
Interesi për ekonominë, bankat dhe tregjet financiare te Edoni lindi që në shkollë të mesme, kur iu shtua kureshtja për të kuptuar se si funksionojnë paratë, si merren vendimet financiare dhe si ndikojnë ato në jetën e përditshme, pavarësisht nëse bëhet fjalë për individë, kompani apo shtete./Lideri

