April 29, 2024
Maqedoni

Strugë, nga viti në vit thellohet kriza në sektorin e gastronomisë, mungojnë shumë punëtorë

Largim masiv i të rinjve dhe largimi i forcës së kualifikuar punëtore po e bënë gjithmonë edhe më të vështirë funksionimin e sektorit të gastronomisë në Strugë. Kriza thellohet edhe më shumë në prag të fillimit të sezonit turistik. Mungesa e kapaciteteve në këtë sektor ndikon drejtpërsëdrejti në zhvillimin dhe mbarëvajtjen e turizmit në këtë qytet, ekonomia e së cilës është e lidhur ngushtë me turizmin. Përderisa pronarët e lokaleve gastronomike shohin opcionin që të mos punojnë me kapacitete të plota ekonomistët bëjnë thirrje që të ndërmerren hapa konkrete për zgjidhjen e këtij problemi, shkruan Portalb.mk.

Mungesa e fuqisë punëtore do të jetë sfida më e madhe me të cilën do të përballen gastronomët nga Struga si dhe Ohri edhe këtë vit. Më shumë se 10,000 punëtorë kanë shkuar për të punuar në bregdetin kroat verën e kaluar, ndërkohë dhe largimi masiv i të rinjve për jetë më të mirë në perëndim ka bërë që ky sektor të ngulfatet edhe më shumë duke lënë kapacitetet tona turistike të punojnë me nxënës të shkollave të mesme dhe pensionistë.

Luman Tafa, menaxher i një ndër lokaleve më të vjetra dhe më të njohura në Strugë thotë për Portalb.mk se e shikojnë mundësinë që këtë verë të mos punojnë me kapacitete të plota për shkak se e kanë të pamundur të sigurojnë forcë punëtore për ta përballuar fluksin e punës gjatë verës. Tafa shton se restoranti që ai menaxhon ka rreth 30 vite që është në shërbim të klientëve dhe se kriza për sigurimin e punëtorëve që ka filluar të paraqitet viteve të fundit po thellohet gjithmonë edhe më shumë.

“Restoranti jonë është një biznes familjar, ndër të parët në qytetin e Strugës. Ka 27 vite që funksionojmë në mënyrë aktive gjatë çdo periudhe të vitit dhe ofrojmë shërbim cilësor për klientët. Gjatë periudhës së verës restoranti funksionon me kapacitet të plotë, pra pjesa e brendshme dhe terasa, që do të thotë se kemi rreth 300 ulëse dhe shpesh ndodh që njerëzit të presin radhë për tu ulur. Deri tash kemi funksionuar me sukses falë stafit profesional që kemi pasur, megjithatë këto vitet e fundit po përballemi me një problem shumë të madh në sigurimin e stafit profesional por edhe atij sezonal në përgjithësi. “, u shpreh Luman Tafa.

Ndonëse rrogat që ofrohen në këtë sektor nuk janë të vogla për vendin ku ne jetojmë, Tafa thotë se të rinjtë gjithnjë e më pak kanë interes të kyçen në sektorin e gastronomisë. Rrogat fillojnë nga 30 000 denarë e lartë varësisht të pozicionit, megjithatë, interesimi është shumë i ulët.

“Përderisa afrohet sezoni veror ne po mendojmë të gjejmë një zgjidhje sa më të përshtatshme për të funksionuar. Sigurimi i forcës së nevojshme punëtore është i pamundur kështu që po shqyrtojmë opcionet që të punojmë vetëm me një orar pune ose me gjysmë kapaciteti. Gjatë verës ka një fluks të madh qarkullimi këtu te ne, ka shumë njerëz që vijnë nga vende të ndryshme enkas për të të shijuar një drekë tek ne apo për ta shijuar plazhin, por në pamundësi për të siguruar staf ne nuk do mundemi as ti shërbejmë turistit e shumtë që na vizitojnë”, tha Luman Tafa.

Mungesa e kuadrove profesionale është i dëmshëm dhe ul potencialin për rritje ekonomike
Ndërkohë mungesa e kuadrit të punës në sektorin e gastronomisë ka dhe pasojat direkte negative në ekonominë e përgjithshme të qytetit. Sipas ekonomistes dhe docentes në UNT, Arbresh Raveni, lista e pasojave negative që ky fenomen ka në ekonominë e vendit është e gjatë.

“Mungesa e kuadrove profesionale është i dëmshëm dhe ul potencialin për rritje ekonomike të vendit tonë, frenon thithjen e Investimeve Direkte të Huaja (IHD), vështirëson transformimin strukturor të ekonomisë sonë, ngadalëson konvergjencën ekonomike me vendet e EU dhe përkeqëson problemet strukturore në tregun e punës. Mungesa e kuadrove profesionale është shumë i dëmshëm për produktivitetin, konkurrueshmerinë dhe profitabilitetin e bizneseve. Mungesa e punëtoreve te kualifikuar pengon zhvillimin e veprimtarive te përditshme të bizneseve, frenon rritjen e tyre, frenon planet për zgjerim të veprimtarisë apo investime më të mëdha dhe në raste ekstreme mund të çojë edhe deri te mbyllja ose falimentimi i biznesit. Në mungesë të kuadrove profesional bizneset janë të detyruar të punësojnë punëtorë të pakualifikuar që si rrjedhojë ul produktivitetin e punës dhe cilësinë e produkteve dhe shërbimeve. Problemi i mungesës së kuadrove profesionale është agravuar nga trendi ne rritje i migrimit te forcës punëtore të kualifikuar”, thotë për Portalb.mk,Arbresh Raveni.

Është fakt se migrimi është faktori kryesor i sfidës me mungesën e fuqisë punëtore. Struga është një nga qytet e RMV popullsia e së cilës është tkurrur shumë ndër vite.