April 25, 2024
Maqedoni

Presioni i ASH-së jep rezultat, tregohen shifrat e kompletuara për Kërçovën , 55 për qind shqiptarë

Aleanca për Shqiptarët pohon se përfshirja e personave të imputuar pa përkatësi etnike dhe mospublikimi i vendbanimit të personave nga diaspora kanë luajtur rol negativ në paraqitjen e përqindjes reale të bashkësive etnike në vend dhe se me këtë rrezikohen të drejtat kolektive që gëzonim deri më tani.

“Konkretisht, përqindja e shqiptarëve në Kërçovë ka rënë nën 50% dhe me këtë rrezikohet përdorimi i flamurit kombëtar”, tha Naim Bajrami, ASh.

I pyetur se a ka vërtetë mundësi që kjo të ndodhë, kryetari i Kërçovës, Fatmir Dehari, tha se jo, ndërsa nuk u përgjigj më gjatë se kaq!

“Në asnjë mënyrë! Shumë dallash janë për fat të keq! Kërçova ka mbi 55% shqiptarë”, theksoi Fatmir Dehari, kryetar i Kërçovës.

Sipas të dhënave të Entit të Statistikave, rezulton se Kërçova ka 41.27% shqiptarë rezidentë, por këtu nuk është përfshirë diaspora. Pas presionit të ASH-së, Enti i Statistikave ka pranuar të bëjë të ditura nurmat e përgjithshëm, që në njëfarë mënyre mbaheshin të fshehura deri sot. Sipas tyre, me diasporën Kërçova do ketë 55 për qind shqiptar.
Kjo pritet të bëhet ditëve në vijim, kur të tregohet se nga cilat komuna janë mërgimtarët, shpjegon për TV21 zëvendësdrejtori i entit të statistikave Ilmi Selami.

“17,056 kërçovarë janë në diasporë. Prej tyre 15,237 janë shqiptarë, ndërsa mbetja janë të tjerë. Jo vetëm për Kërçovën por për te gjitha qytetet, numri i jorezidentëve është paraparë që të përpunohet dhe të publikohet në setin e dytë të të dhënave te regjistrimit”, tha Ilmi Selami, zv/drejtor i Statistikave.

Selami risqaroi se Ligji parasheh në mënyrë shumë të saktë se cilat janë kategoritë e regjistrimit. “Kategoria e parë janë rezidentët, e dyta jorezientët dhe kategoria e tretë është popullsia e përgjithshëm, pra totali i dy kategorive të para” u shpreh ai. Nga kjo nënkuptohet se Komuna e Kërçovës nuk do ta humb të drejtën e përdorimit të simboleve kombëtare të shqiptarëve, të cilët janë mbi 50% në këtë komunë.