“Në asnjë lëndë nuk i kam dhënë ryshfet gjyqtarit Gjoko Ristov”. Këtë e tha në seancën e sotme të procesit gjyqësor që në Gjykatën Penale po zhvillohet kundër gjyqtarit të Apelit, ish-avokati i shtetit dhe avokati Fehmi Stafa, i cili po vuan dënim me burg prej një viti e tre muajsh, pasi u kap me ryshfet nga motra e klientit të tij, Lupço Pecov-Gjavollot, për të ndërmjetësuar te një gjyqtar i Apelit për heqjen e masës së paraburgimit.

Stafa, i cili dëshmoi me propozim të mbrojtjes së të akuzuarit Ristov, në Gjykatën Penale të Shkupit u soll nga burgu ku po e vuan dënimin, të cilin e mori pasi pranoi fajësinë dhe u pajtua me Prokurorinë.

Për rikujtim, ish-avokati i shtetit u arrestua më 13 dhjetor të vitit të kaluar, pasi policia e kapi “në flagrancë” me një pjesë të shumës prej gjithsej 100 mijë eurosh, të cilat ai i kishte kërkuar nga Pecov. Paratë duhej të përfundonin te gjyqtari Ristov, por kjo nuk ndodhi për shkak të arrestimit të tij.

Stafa: Pranova fajësinë sepse më bënë presion nga Prokuroria

" "

Megjithatë, në seancën e sotme Stafa deklaroi para gjykatës se asnjëherë nuk i ka dhënë ryshfet gjyqtarit dhe se paratë me të cilat ishte kapur përbënin pjesërisht shpërblim për angazhimin e tij si avokat dhe pjesërisht hua nga Pecov. Ai tha se e kishte pranuar fajësinë në këtë rast për shkak të presioneve, kushteve në paraburgim dhe frikës nga pasojat nëse nuk do ta pranonte marrëveshjen me Prokurorinë.

Sipas tij, akuzat ndaj tij ishin të palogjikshme, pasi lënda për të cilën pretendohej se duhej të ndikonte te gjyqtari tashmë ishte zgjidhur në dëm të klientit të tij.

“Më privuan nga liria me pretendimin se gjoja kam pranuar shpërblim për të ndikuar te gjyqtari Gjoko Ristov që të merrte vendim me të cilin paraburgimi do të zëvendësohej me arrest shtëpiak, ndërsa lënda, 11 ditë para se të më privonin nga liria, ishte vendosur në dëm të palës sime dhe ankesa ime ishte refuzuar, por fakt është se në Apel për ankesat vendos një trup gjykues i përbërë nga disa anëtarë”, deklaroi Stafa.

Në dëshminë e tij, ai pretendoi se menjëherë pas privimit nga liria ishte ekspozuar ndaj presioneve nga zyrtarë policorë, duke përmendur me emër hetuesin Shenoll Ukshini.

“Filloi të më kontrollonte para ndërtesës së Lupço Pecovit, në vendngjarje. Çdo gjë që e pyeta nuk i interesonte, më ushtronte torturë, fizikisht donte të më sulmonte. Paratë nuk i gjeti ai, shumën prej 20 mijë eurosh. Paratë janë raportuar, nuk janë gjetur dhe i thashë se këto para janë shpërblim avokatie për lëndën e vitit 2024, në të cilën unë kam qenë avokat“, tha Stafa.

Ai pretendoi se gjatë bisedës që kishte pasur me hetuesin, ky i fundit i ishte referuar prokurores Iskra Haxhi Vasileva, duke i thënë të pranonte se 20 mijë euro nga paratë duhej të përfundonin te gjyqtari Ristov, ndërsa në këmbim do të kujdeseshin që të mos kishte probleme dhe të shkonte në shtëpi.

Duke folur për ngjarjet në Prokurori, Stafa pretendoi se edhe atje ishte përballur me kërkesa që të jepte një deklaratë që nuk përputhej me të vërtetën.

“Sapo arrita atje, në dhomën e parë në të djathtë, i pari u shfaq prokurori i lartë publik Artan Ajro, qëndroi para meje dhe më qeshi në fytyrë. Në të njëjtin moment u shfaq prokurorja Iskra Haxhi Vasileva. Fjalët e saj të para ishin që të jepja deklaratë të rreme, pra të pranoja të thosha se paratë do të përfundonin te Gjoko Ristov. Në këmbim, më garantohej se nuk do të kisha probleme dhe do të shkoja në shtëpi. Absolutisht nuk e pranova këtë.

Po citoj, edhe dhjetë vjet do të vuaj burg, këtë nuk do ta lejoj“, dëshmoi Stafa, duke shtuar se për këto pretendime kishte paraqitur ankesa në Këshillin e Prokurorëve Publikë, Këshillin Gjyqësor dhe te kryetari i Gjykatës së Apelit, si dhe kallëzim penal kundër prokurores për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Stafa për prejardhjen e parave

I pyetur për prejardhjen e parave, dëshmitari përsëriti se ato nuk ishin të destinuara për gjyqtarin, por ishin shpërblim për avokatin, ndërsa 30 mijë eurot që i ngarkohen si ryshfet ishin mjete që i ishin dhënë si hua nga motra e Lupço Pecovit. Ai tha se për këtë ka dëshmi me shkrim.

Në pjesën përfundimtare të dëshmisë së tij, ai pretendoi se Ristov nuk kishte lidhje me lëndën.

“Siguroj se absolutisht Gjoko Ristov ishte më së paku fajtor për këtë problem, absolutisht nuk ka asnjë pikë kontakti me lëndën. Po të ishte e vërtetë teoria e Prokurorisë, ai do ta hiqte paraburgimin, ndërsa ne e dimë se në Apel nuk vendos individi, sepse këtu është vetëm Gjoko“, tha dëshmitari.

Edhe gjatë marrjes në pyetje nga Prokuroria, Stafa qëndroi në të njëjtat pretendime se me vetëdije kishte vendosur të pranonte fajësinë dhe të zgjidhte, siç tha, pasojën më të lehtë nga dy pasojat me të cilat përballej, si dhe se ajo që ishte theksuar në aktgjykimin për të cilin po vuan dënimin me burg nuk është e vërtetë.

Prokuroria: Bëhet fjalë për dëshmitar jo të besueshëm

Pas dëshmisë së Stafës, Prokuroria dhe mbrojtja e gjyqtarit Ristov dolën me qëndrime të kundërta. Prokurorja Iskra Haxhi Vasileva vlerësoi se bëhet fjalë për një dëshmitar i cili është dënuar me aktgjykim të formës së prerë në një procedurë të lidhur drejtpërdrejt me lëndën, si dhe se pretendimet e tij do të analizohen më tej në fjalën përfundimtare.

Nga ana tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Ristov, avokati Zvonko Davidioviq, tha se dëshmia e Stafës hap shumë pyetje serioze për veprimet e organeve hetimore dhe prokuroriale.

Prokurorja theksoi se Prokuroria nuk i bazon procedurat e saj vetëm në dëshmi, por edhe në lloje të tjera provash.

“Prokuroria, veçanërisht në këtë lëndë, dëshmitë e çdo dëshmitari i mbështeti me prova materiale, verbale dhe, më e rëndësishmja, prova elektronike, përkatësisht komunikim të drejtpërdrejtë ndërmjet personave të përfshirë në procedurë. Këtu përfshihen edhe Fehmi Stafa, edhe Lupço Pecov, edhe të gjithë të tjerët“, deklaroi Haxhi Vasileva.

Avokati i Ristovit: Dëshmia e Stafës hap dilema për provat në lëndë

Mbrojtësi i gjyqtarit të Apelit, Gjoko Ristov, avokati Davidioviq, vlerësoi se dëshmia e Stafës hap dilema lidhur me provat në lëndë. Sipas tij, provat materiale të Prokurorisë askund nuk janë paraqitur.

“Në asnjë lëndë nuk është paraqitur se ku është dhënë ryshfeti për gjyqtarin Gjoko Ristov. Do të duhet t’i besojmë fjalës së saj, sepse as në atë lëndë ato prova nuk u nxorën“, deklaroi Davidioviq.

Ai shtoi se mbrojtja nuk e mbron veprën penale, por insiston në respektimin e të drejtave ligjore të të gjithë pjesëmarrësve në procedurë.

Ndryshe, gjyqtari i Apelit, Gjoko Ristov, u ul në bankën e të akuzuarve pasi në janar të këtij viti, gjatë aksionit të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, në shtëpinë e tij familjare në Negotinë, pas pllakave në kuzhinë u gjetën të murosura 350 mijë euro.

Gjykimi vazhdon më 8 tetor, me dëgjimin e prindërve të gjyqtarit Ristov dhe një zyrtari policor nga Negotina.

sqShqip