May 7, 2024
Maqedoni

Specializantët privatë në grevë, Demiri: Greva është e nxitur politikisht

Specializantët privatë mjekësorë prej sot kanë hyrë në grevë të përgjithshme. Arsyeja e grevës është se pavarësisht protestës së mbajtur më 27 mars dhe takimit, me dy prill, me ministrin e Shëndetësisë në Qeverinë Teknike, Ilir Demiri, kërkesat e tyre për rritjen e pagës dhe përmirësimin e kushteve, nuk janë përmbushur ende.

“Kërkesat tona, siç i kemi bërë të ditura disa herë, janë rritja e kompensimit që është 26 mijë denarë. Kërkojmë që i njëjti të jetë në nivelin e rrogës mesatare të mjekut në institucionet e shëndetit publik. Po ashtu kërkojmë sigurim shëndetësor, që nuk e kemi për momentin. Si dhe kërkesa jonë e tretë, zgjidhja e statusit tonë që për momentin është i personave të papunësuar pa sigurim shëndetësorë dhe pensional, me kontratë në vepër.”, – deklaroi specializante private e mjekësisë interne, Kristina Ilionska Çeshllaroska.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri, vlerëson se reagimi i specializantëve privatë në këtë moment është i nxitur politikisht, duke drejtuar gishtin drejt opozitës. Ai tha se kërkesat e tyre do të diskutohen në seancën e radhës të Qeverisë ose të martën e ardhshme.

“Nuk them se është ideale, por është dukshëm më i mirë pozicioni se para 2017-tës kur nuk kanë marrë fare paga. Tendenca dhe angazhimi im do të jetë që ato të nivelizohen me specializantët e punësuar në institucione shtetërore, prandaj edhe mora obligim ta paraqes në seancë qeveritare, por duhet ta dini se nuk është edhe pa nxitje politike, pa prapavijë politike. Sigurisht nuk është i nxitur prej Qeverisë.”, – theksoi ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri.

Rreth 400 specializantë privatë mjekësorë kanë hyrë në grevë, duke mos u paraqitur në vendin e punës. Specializantët protestuan edhe më 27 mars, ata mes tjerash theks të veçantë vendosin edhe te sigurimi shëndetësorë. Thonë se detyrohen të paguajnë për shërbimet shëndetësore që i marrin, ose të ndajnë para nga paga 26 mijë denarëshe për të paguar kontributet për këtë sigurim.