Një urim i veçantë dhe plot emocione ka ardhur nga Hamidi dhe Astriti, djemtë e Dr. Teuta Bekteshi Ajetit, ish-të burgosurës politike dhe mjekes që një pjesë të jetës së saj ia kushtoi çështjes kombëtare, ndërsa më pas shërbimit ndaj njerëzve përmes profesionit të mjekësisë, raporton tvfesta.mk.

Me rastin e ditëlindjes së nënës së tyre, Hamidi dhe Astriti kanë ndarë një mesazh prekës, duke kujtuar sakrificat, vuajtjet dhe përkushtimin e saj ndër vite, si në veprimtarinë atdhetare, ashtu edhe në jetën profesionale dhe familjare.

Dr. Teuta Bekteshi Ajeti njihet për veprimtarinë e saj politike dhe kombëtare gjatë viteve ’80, kur ishte përfshirë në grupet ilegale që merreshin me hartimin, shkrimin dhe shpërndarjen e trakteve me kërkesa për Kosovën Republikë.

Ajo ishte pjesëmarrëse edhe në demonstratat e vitit 1981, përkatësisht më 11 mars, 26 mars, si dhe më 1 dhe 2 prill, ngjarje që shënuan një periudhë të rëndësishme të lëvizjes politike të shqiptarëve të Kosovës.

" "

Për shkak të veprimtarisë së saj politike, televizioni Festa informon, se Dr. Teuta Bekteshi Ajeti u burgos dy herë. Herën e parë vuajti dënimin prej dy vitesh burg, nga 26 tetori 1982 deri më 26 tetor 1984, ndërsa herën e dytë u burgos për një vit, nga 9 nëntori 1984 deri më 9 nëntor 1985.

Në total, ajo kaloi tri vite në burg si e burgosur politike, një periudhë e vështirë që familjarët e saj e kujtojnë me krenari dhe respekt.

Pas kësaj periudhe, Dr. Teuta ia kushtoi jetën profesionit të mjekësisë, duke u shërbyer pacientëve dhe duke ndihmuar njerëzit me përkushtim.

Në urimin e publikuar me rastin e ditëlindjes, djemtë e saj, Hamidi dhe Astriti, shkruajnë:

“Sot e ka ditëlindjen Nëna ❤️

Kur mendoj për jetën e saj, më vijnë ndërmend sa shumë ka kaluar, sa shumë ka sakrifikuar dhe sa shumë u ka dhënë të tjerëve.
Në vitet e ’80-ta ishte e burgosur politike, për idealin e saj dhe për Kosovën Republikë. Ka kaluar vështirësi që jo çdokush do të mund t’i përballonte, por ajo vazhdoi përpara me dinjitet dhe guxim. Pastaj, tërë jetën ia kushtoi mjekësisë dhe njerëzve.
Si mjeke, ndihmoi, shëroi dhe u gjend pranë shumë njerëzve, duke e bërë profesionin e saj me zemër dhe përkushtim.
Jemi krenarë për ty, nënë. Për atë që ke qenë, për atë që je dhe për gjithçka që ke dhënë gjatë jetës.
Gëzuar ditëlindjen! Të paçim edhe shumë vite pranë nesh, me shëndet, gëzim e dashuri. Të duam shumë!”

Ky mesazh familjar sjell në vëmendje dy kapituj të rëndësishëm të jetës së Dr. Teuta Bekteshi Ajetit: angazhimin e saj politik në rininë e hershme dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj mjekësisë.

Përtej historisë së saj si ish-e burgosur politike dhe mjeke, urimi i Hamidit dhe Astritit pasqyron edhe një dimension tjetër të jetës së saj, atë të një nëne, sakrificat dhe dashuria e së cilës vazhdojnë të vlerësohen nga familja. /tvfesta

sqShqip