Snopçe: Taravari është kryetari i asaj partie që rrëzoi VMRO-në dhe regjimin e Gruevskit
Deputeti nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe reagoi në lidhje me deklaratën e VRMO-DPMNE-së e cila parashtroi pyetje se kryetar i cilës parti politike është Arben Taravari.
“Atyre u themi se Arben Taravari është kryetar i Aleancës për Shqiptarët, si subjekt autonom i dalë nga populli shqiptar dhe i ndërtuar qysh nga dita e parë mbi parimin e shbërjes së logjikës së vasalitetit me të cilën ka qeverisur VMRO-DPMNE”, shprehet Snopçe.
Ai shtoi se Taravari është kryetar i po asaj partie e cila ishte forca vendimtare për rrëzimin e regjimit të Gruevskit në kulmin e pushtetit të tij, sepse, siç shprehet Snopçe, ASH udhëhiqet çdoherë vetëm nga interesi i shqiptarëve dhe shtetit.
“Në vend të konfrontimeve sterile, i bëjmë thirrje VMRO-DPMNE-së të sillet si subjekt shtetndërtues dhe të bëhet pjesë e procesit më strategjik të vendit, atë të integrimit në BE”, deklaroi Snopçe.
Ndryshe, sot kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në konferencë për shtyp hodhi poshtë tezën e VMRO-DPMNE-së për t’i mbështetur ndryshimet kushtetuese pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian duke theksuar se kjo bie ndesh me kornizën negociuese të vet Bashkimit Evropian.
“Edhe pse kushtet opozitës maqedonase janë konfuze dhe jashtë realitetit, ne përshëndesim gatishmërinë e re të VMRO-së për të votuar ndryshimet kushtetuese. Siç e dimë të gjithë, korniza jonë kushtetuese, e miratuar nga 27 vende anëtare të BE-së, kushtëzon në mënyrë të qartë hapjen e negociatave me përmbylljen e ndryshimeve kushtetuese. Pra së pari na nevojiten ndryshimet kushtetuese dhe më pas hapja e negociatave. Andaj vlerësoj se kushti i opozitës maqedonase për ndryshime kushtetuese suspenzive, është thjesht i parealizueshëm, dhe ai bie ndesh me kornizën negociuese të BE-së”, deklaroi kryetari i Aleancës për Shqiptari, Arben Taravari.