May 1, 2024
Maqedoni

S’ka vend për drejtorët e suksesshëm

Politizimi i institucioneve mbetet një prej shqetësimeve më serioze në Maqedoninë e Veriut, thonë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, duke komentuar shkarkimet e fundit të disa drejtorëve, që përkundër rezultateve në punën e tyre, ata u pushuan nga puna me urdhër të partive politike.

Drejtorja e Inspektoratit Shtetëror të Ambientit Jetësor, Ana Petrovska u shkarkua nga detyra me vendim të qeverisë, por këtë paraprakisht e kishte kërkuar partia Ripërtëritja Demokratike, që e kishte emëruar në këtë post.

“Shkaqet e shkarkimit të një personi janë të parashikuara në ligjet dhe materialet, varësisht institucionit. Të shkarkohet një person pa arsyetim konkret, në bazë të asaj siç parashikojnë ligjet dhe të perceptohet nga të gjithë se një veprim i tillë, nuk është në rregull, nënkupton një ndikim, për fat të keq, shumë të madh të politikës, në rrjedhat e jetës publike dhe të menaxhimit me institucionet publike”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Nuri Bajrami, nënkryetar i Komisionit Antikorrupsion.

Largimi i Ana Petrovskës erdhi për shkak të zënkave brendapartiake, edhe pse ajo kishte treguar rezultate të mira në punë, madje duke u vlerësuar si nga drejtoret më efikase.

Maja Moraçanin, kryetarja e partisë që e kishte caktuar për këtë post, tha se shkarkimi i Petrovskës ka të bëjë me reagimet në opinion lidhur me punën e saj.

“Kishte reagime nga shumë qytetarë dhe shoqata qytetare, por edhe nga të punësuarit në këtë inspektorat, se ky institucion nuk po menaxhohet në mënyrë adekuate. Përkundër reagimeve të qytetarëve nëpër rrjete sociale apo mesazhe, nuk ishte ndërmarrë asnjë masë”, ka deklaruar Moraçanin.

Ajo nuk ka prezantuar asnjë fakt se kush janë këta qytetarë që kanë reaguar dhe cilat ishin shqetësimet e tyre apo të të punësuarve në Inspektoratin e Ambientit Jetësor.

Drejtorja e shkarkuar, Ana Petrovska ditën që u zëvendësua me një kuadër tjetër partiak, bëri një bilanc të punës së saj gjashtëmujore, duke prezantuar të dhënat mbi gjobat e shqiptuara mbi ndotjen e ajrit, që ishin pothuajse dy herë më të larta se ato të periudhës paraprake. Në mesin e 336 parregullsive të konstatuara nga mbi 1 mijë kontrolle të kryera, ishte edhe një gjobë prej 20 mijë eurosh për një ndërmarrje si ndotëse e ajrit.

Tërheqjen e vendimit për shkarkimin e Petrovskës e kanë kërkuar 11 shoqata joqeveritare ekologjike.

“Shpesh e ekspozuar ndaj rrezikut dhe shqetësimeve, ajo demonstroi integritet dhe dinjitet në situata kritike. Ne e shohim zëvendësimin e saj si një hap prapa për shumë procese të shëndetshme, të cilat filluan të ndodhin në ministri me punën e mirë të saj”, thuhet në reagimin e shoqatave.

Komisioni Kundër Korrupsionit, në vazhdimësi ka insistuar në ndryshimin e mënyrës së përzgjedhjes së drejtuesve të institucioneve, që në radhë të parë të vjen në shprehje profesionalizmi dhe të respektohen ligjet që përcaktojnë kriteret mbi përzgjedhjen e kandidatëve për postet drejtuese.

“Mënyra e këtillë e përzgjedhjes dhe e emërimit të personave si drejtorët dhe sekretarët ekzekutivë, në fakt nuk është në rregull, andaj edhe qëllimi ynë mbetet miratimi i ligjit për shërbimin e lartë administrativ dhe të zgjedhën forma tjera më adekuate të përzgjedhjes dhe shkarkimit të personave drejtues të institucioneve ndarëse, në mes të politikës dhe profesionalizmit. Kjo që po bëhet nuk është në rregull. Është absurde që të bësh shpallje sa për sy e faqe dhe në fund të zgjidhet personi i targetuar, i preferuar apo të zgjidhet personi i pazareve politike në poste udhëheqëse”, thotë Nuri Bajrami, nënkryetar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Politizimi i institucioneve në vazhdimësi është kritikuar edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare. Çdo qeveri ka premtuar se gjatë përzgjedhjes së kuadrove, do të marrë parasysh aspektet profesionale të kandidatëve, por kjo jo që nuk ka ndodhur. Megjithatë, shumë prej organeve shtetërore drejtohen nga njerëzit më të dëshmuar për aktivitete politike në radhët e partive./REL