Shtetet shqiptare që s’e mbrojnë gjuhën e tyre!
Paradoksalisht, por del se gjuhën shqipe nuk e mbron as Shqipëria e as Kosova, por Maqedonia e Veriut, edhe atë përmes dy institucioneve të rëndësishme, Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës dhe Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve! Ndërkaq, Tirana dhe Kosova, nuk mund të merren vesh për formën se si do të duhej të mbrohej “gjuha standarde”…
Shkruan: Daut DAUTI, Shkup
Posa ta kalosh urën mbi Vardar në rrugën magjistrale Shkup-Tetovë përtej Sarajit, të bie në sy një pllakë e cila tregon se ka një nënkalim që të çon te “Kanjoni Matkës”. Në shikim të parë asgjë e pazakonshme, por një sy i mprehtë jo vetëm prej gjuhëtari, por edhe i secilit që ka sadopak kulturë gjuhësore, do të vërejë se midis këtyre dy fjalëve mungon një shkronjë që do t’i kishte dhënë kuptim këtij toponimi, pra, shkronja “i”, me çka toponimi do të bëhej në gjuhën shqipe Kanjoni i Matkës (për hir së vërtetës, forma e gabuar e toponimit është shkruar para Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe para themelimit të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës). Por, çdo vërejtje kësaj forme të cunguar të një toponimi lokal, mund të paraqitet dikush, po ashtu me sy të mprehtë dhe kujtesë të mirë që do të thoshte: po njësoj veprojnë edhe në Shqipëri, si p.sh. “Vau Dejës” e ndonjë tjetër i ngjashëm! Dhe, do ta kenë tamam! Edhe pse gabim!
Tamam e kanë, sepse shumë toponime në Shqipëri janë shkruar në atë formë dhe kurrkujt kurrgjë! Kurrkujt kurrgjë?! Por, kjo është ana e gabuar, duke ia lënë në liri të plotë gjithkujt dhe pa një qasje sistemore përdorimit edhe të terminologjisë, gjuhës standarde apo toponimisë… Nga shteti ynë amë, prej nga gjithçka (do të duhej të) merret si model se si duhet folur e shkruar gjuha shqipe, ne këndej kufirit të tij imitojmë se çka bëhet atje, shpesh duke mos i analizuar në mënyrë kritike praktikat e atjeshme. Sepse, janë bërë epidemi kolere praktikat e gabuara, për të cilat shpesh ka ngritur zërin në media ndonjë zë i rrallë, në mesin e tyre unë personalisht jam bërë paksa i mërzitshëm duke iu qasur disa dukurive të mbrapshta, siç është ajo lidhur me mosshquarjen dhe mos lakimin e emrave të huaj për hir të ruajtjes së origjinalitetit, që ka nisur që në vitet e “çlirimit demokratik” të viteve ‘90-të. Rregullat e gjuhës shqipe parashohin që emrat e huaj t’u nënshtrohen rregullave gramatikore të gjuhës shqipe, sikundër që të gjitha gjuhët e botës i kanë të vetat dhe i respektojnë. Mirëpo, nga ndonjë motiv absurd që të ruajnë origjinalitetin e emrave të huaj në dëm të rregullave të gjuhës shqipe, gazetat, revistat, televizionet, në ato vite nisin një praktikë amatoreske, e cila, përkundër vërejtjeve të ndonjë gjuhëtari, si luftëtar i vetmuar kundër një invazioni barbar që shkretojnë gjithçka që u del përpara! Dhe, shkretimin e kemi gjithnjë e më të dukshëm, përderisa fqinjët tanë, kroatët, serbët e boshnjakët, ku me “latinicë” e ku me “qirilicë”, emrat e huaj ua nënshtrojnë rasave të lakimit (serbo-kroatisht: “padezhi”…), folësit amatorë mediatikë e gjer te politikanë e pseudointelektualë shqiptarë, mendojnë se është “trendi” t’i ruajnë emrat origjinalë pa i lakuar, dhe këtë këtejkufirëshit tanë analfabetë e kanë marrë si mostër të një rregulli gjuhësor! Dhe, nuk dëgjohen komentet futbollistike të EURO 2020-shit, as në Kosovë, as në Shqipëri, e as në MTV2-shin shqip, ku ke këso formash të çoroditura “…i ekipit të Joakim Lëv” (në vend se “…ekipit të Joakim Lëvit”), “Franca fitoi me autogolin e Mat Humels” (në vend se me “…autogolin e Mat Humelsit”)… e të mos numërojmë dhjetëra shembuj të tillë, ku madje bie në sy edhe një paradoks tjetër: brenda një ndeshje futbolli, i njëjti komentues herë nuk i lakon emrat, e kur “harrohet” dhe çlirohet nga “rregullat” mediatike të Shqipërisë dhe vepron me logjikën e shqipes, i lakon si duhet!
Vetëm në Maqedoni shqipja mbrohet në mënyrë institucionale?!
Këto janë vetëm disa shembuj që bien në sy, por shtrohet pyetja se “Çka nuk bie në sy për publikun e gjerë?”. Sa respektohen rregullat e gjuhës shqipe në përdorimin zyrtar nëpër institucione, atje ku do të duhej të paktën të ishte rregull? A shkruan një zyrtar i ulët me fjalorin ose zhargonin lokal të origjinës së tij apo e shkruan në mënyrë korrekte gjuhën standarde? A kujdeset kush për ta shkruar si duhet apo i është lënë stihisë?
Këto pyetje gjithnjë e më shumë marrin kuptim nga një praktikë e re, që ka nisur prej para dy vitesh në Maqedoninë e Veriut, prej se është sjellë Ligji për përdorimin e gjuhëve, e prej se është themeluar Agjencia për Zbatimin e Gjuhës, e cila ka nisur të ndërmarrë aktivitete konkrete për përdorimin sa më cilësor të gjuhës shqipe nëpër institucione, pasi ligji i ka dhënë hapësirë shumë më të madhe se më parë, edhe atë në shtrirje horizontale dhe vertikale. Në këtë Agjenci janë botuar disa doracakë, një për aspektet formale të përdorimit, një për aspektet gjuhësore e terminologjike, ka organizuar shumë këshillime, tribuna, konferenca shkencore, ndërkohë që janë duke u zhvilluar edhe trajnime për përkthyes dhe lektorët të administratës dhe gjithë sektorit publik, ndonëse ky aktivitet i fundit me një numër të kufizuar pjesëmarrësish, por me ambicie që të vazhdohet edhe më tutje me më shumë pjesëmarrës.
Paradoksalisht, por duket se në këtë moment vetëm Agjencia në Shkup po ndërmerr gjëra konkrete, jo vetëm në zbatimin e gjuhës shqipe për të përafruar në mënyrë formale me cilësinë e gjuhës së parë zyrtare, por edhe në aftësimin e kuadrit që është në linjën e parë të zbatimit. Agjencia është shndërruar në një “repart” shërbyes të administratës – nëpërmjet saj kalojnë të gjitha ligjet dhe shumë forma tjera të shkruara, me qëllim që shqipja në administratë të jetë sa më afër maqedonishtes. Hapi i radhës që ka nisur si iniciativë nga drejtori i saj, Ylber Sela (sipas faqes zyrtare të Agjencisë), është që të bëhet licencimi i lektorëve të gjuhës shqipe (këtë e ka përkrahur edhe ministrja e Kulturës, Irena Stefoska), gjë e cila deri tash ka qenë e paraparë vetëm për lektorët e maqedonishtes. Kjo do ta rriste kompetencën e kuadrit të lektorëve, si për veprat e botuara, por dhe në përkthimet që bëhen për nevoja institucionale. Po kështu vlen të theksohet edhe një ide tjetër që ka dalë po nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhës, që të ngrihet niveli statusor-material i përkthyesve të administratës, që do ta stimulonte dhe motivonte më shumë këtë staf, përmes të cilit kalon një lum dokumentesh.
Dhe, pikërisht këtyre ditëve, një profesor nga Kosova, që merrte pjesë si ligjërues në trajnimet e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, tha se agjenci të tilla do të duhej të ekzistonin edhe në Tiranë e Prishtinë, të cilat do të kujdeseshin për nivelin e përdorimit të gjuhës shqipe në sektorin publik. Vallë pse jo? Pse të mos ketë edhe ligj për mbrojtjen e saj?
Problemet “e mëdha” e pengojnë zgjidhjen e problemeve “të vogla” praktike?!
Mirëpo, pse nuk ka ndonjë organ të ngjashëm në Shqipëri dhe Kosovë? A do të thotë se atje çdo punëtor administrate e flet dhe e shkruan në mënyrë të përkryer gjuhën shqipe?!
Nëse kulturën e komunikimit e pasqyrojnë politikanët, ata që janë në vijën e parë të komunikimit me publikun, një nivel i tillë është larg ideales! Edhe në Shqipëri e Kosovë ka plot emra qytetesh, fshatrash, rrugësh, lumenjsh…, që janë të shkruar si “Kanjoni Matkës” apo “Vau Dejës”, “Rruga Elbasanit”, e të mos flasim për “voluntarizmin” gjuhësor të çdo shkruesi në administratë (paramendoni: Drejtoria Policisë Shtetit…!!!) dhe një varg barbarizmash që janë duke i përjashtuar shumë fjalë të bukura shqipe! Andaj një organ mbikëqyrës për përdorimin e gjuhës standarde do të kishte qenë vërtetë i mirëseardhur. Në këtë temë pata rastin të bisedoj me një gjuhëtar të njohur nga Tirana, i cili i ishte bashkëngjitur “çetës” së profesorëve të angazhuar nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës, me të cilin u pajtuam për nevojën për një ligj që do ta mbronte gjuhën standarde. Por, ai përmendi një projektligj “të harruar” tashmë, i cili është dashur të harmonizohet midis Tiranës dhe Prishtinës, por që paska ngecur për shkaqe “terminologjike”. Më saktë, ai tha se kolegët kosovarë i ikin “mbrojtjes së gjuhës standarde”, me gjasë, duke pasur parasysh debatet që janë hapur dekadave të fundit rreth “padrejtësisë” që i ishte bërë dialektit të gegërishtes gjatë krijimit të gjuhës standarde “me dekret politik”.
A thua për këtë arsye ka mbetur në letër një premtim i Edi Ramës për mbrojtjen e Ë-së dhe Ç-së në sektorin publik dhe angazhimin e redaktorëve gjuhësorë?
Si duket, çështjet “madhore”e kanë bërë me pikëpyetje harmonizimin e një projekti ligjor, i cili do ta merrte në mbrojtje shqipen në mënyrë institucionale. Por, siç e dimë, gjuhëtarët janë ndarë në taborë, disa duke konsideruar si të shenjtë atë që tashmë është një ujdi e para 50 vjetësh dhe nuk dëshirojnë të prekin asgjë, dhe të atyre që duan doemos ta kthejnë “në lojë” dialektin verior të sakrifikuar për “shkaqe ideologjike”. Dhe, derisa janë të hapura këto debate, dy shtetet shqiptare e kanë lënë shqipen të tillë çfarë e kemi në këtë moment, në pamëshirë dhe improvizime, pa një unifikim terminologjik, çfarë e kërkon përdorimi zyrtar në tri ose më shumë shtete fqinje. Dhe, kur shteti amë nuk e mbron, kur Kosova mund të rrëshqasë në një tendencë që e kërkojnë disa qarqe (pseudo)intelektuale e politike për një gjuhë të ndryshme nga standardi(“kosovarishtja”!?), atëherë fronti për mbrojtjen e shqipes u mbetet shqiptarëve të Maqedonisë, edhe atë përmes dy institucioneve të rëndësishme: Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës dhe Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve.
Ka edhe një paradoks tjetër. Nëse i dëgjojmë politikanët se si e flasin gjuhën, do të vërejmë se politikanët shqiptarë nga Maqedonia bëjnë shumë më tepër përpjekje ta flasin gjuhën letrare, ndryshe nga shumica e politikanëve kosovarë e atyre të Shqipërisë, të cilët janë robër të të folmeve të tyre dialektore ose, madje, dhe të të folmeve lokale!