Rajon - Botë

Shtatë gazetarë u plagosën në një sulm ajror izraelit në spitalin Al-Aksa në Gaza

Shtatë gazetarë, duke përfshirë një freelancer që punonte për BBC, u plagosën në një sulm ajror izraelit në oborrin e një spitali në Gaza. Në sulm u vranë katër anëtarë të grupit militant të Xhihadit Islamik, shkruan BBC.
Ushtria izraelite tha se sulmoi një qendër komanduese të Xhihadit Islamik në afërsi të spitalit al-Aksa në Deir al-Balah.

Hamasi dhe stafi mjekësor mohojnë akuzat izraelite se militantët po përdorin spitalet si baza.

Xhihadi Islamik, i cili është aleat i Hamasit, nuk ka komentuar.

Al-Aksa është spitali i fundit funksional në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

Siç raportojnë mediat, gazetarët ishin mes qindrave të strehuar në tenda të improvizuara në ambientet e spitalit.

Shumica e gazetarëve që kampojnë në spital janë nga Gaza veriore. Ata vazhdojnë të punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira, me pak ushqim, ujë apo energji elektrike dhe janë nën kërcënimin e vazhdueshëm të sulmeve izraelite.

Shumë prej tyre punojnë duke shitur fotografi që dokumentojnë jetën brenda dhe përreth spitalit, ndërsa kujdesen gjithashtu për familjet e tyre të reja që jetojnë me ta në tenda.

Çadra më afër shpërthimit i përkiste agjencisë turke të lajmeve Anadolu.