May 19, 2024
Maqedoni

Shqiptari katolik apel vëllezërve muslimanë: Unë nuk turpërohem nga mbiemri im, mos u turpëroni as ju nga mbiemrat tuaj!

Florian Martini është një katolik shqiptar nga rrethina e Shkodrës, qytetit me bukuri të rralla, por edhe me traditë të gjatë të tolerancës vëllazërore ndërfetare.
Në frymën e kësaj tolerance, ai ka shkruar një letër publike dhe ua ka dërguar disa mediumeve për publikim, e ku shpreh shqetësimin për një dukurit të paraqitur tek disa individë shqiptarë, për të cilët u raportua se kanë filluar t’i ndryshojnë mbiemrat e tyre muslimanë. Portali Lideri.mk transmeton një pjesë të kësaj letre publike.

“U bëj një thirrje vëllazërore: si komb kemi sfida shumë më të mëdha përballë armiqve tanë, nuk është koha të meremi me gjëra të kota. Unë nuk turpërohem nga mbiemri im Martini, edhe pse me të drejtë do të konstatoni se nuk është origjinal mbiemër shqiptar. As ju nuk duhet të turpëroheni. Të gjithë duhet të krenohemi me emrat e mbiemrat që i kemi trashëguar nga prindët tanë.

Këto tema janë tejkaluar për kombin tonë para shumë shekujsh, dashakeqët duan të na i rikthejnë. Religjioni është pjesë e trashëgimisë sonë. Sa më fetarë të mirë të jemi, aq më tepër do e respektojmë kombin dhe anasjelltas. Armiqtë tanë fusin mes nesh kësisoj dilemash, që më lehtë të mund të na i uzurpojnë objektet shekullore fetare- xhamitë e kishat qofshin katolike apo ortodokse, e pastaj më lehtë të realizojnë aspiratat qëllimkëqija për të uzurpuar edhe trojet tona etnike edhe ashtu të ndara e të cunguara.

Ne sot duhet të bëhemi bashkë ta shpëtojmë kombin, sepse rinia po largohet nga trojet tona autoktone në Ballkan. Ne duhet t’i ofrojmë vizion rinisë sonë për të jetuar në atdhe, sepse me tema të kota vetëm se ua humbim vullnetin të qëndrojnë në trojet shekullore”, shkruan mes tjerash Martini, ku konstaton se “çdo kush nga radhët tona që hap dilema të tilla nuk është asgjë tjetër, veçse një vegël në duart e armiqve që na rrethojnë, e asgjë tjetër”.

Ndryshe, disa ditë më parë edhe Hoxha i njohur nga Kumanova, Qazmedin Shaqiri, i cili jeton dhe vepron në Bashkësinë Islame Shqiptare në Bremen të Gjermanisë ka komentuar vendimet e disa mërgimtarëve për ndryshimin e mbiemrave të tyre, për të cilat ata pretendonë se janë arab, si psh: emri Adem.

Gjatë një interviste për Open-TV, hoxhë Shaqiri tha se për herë të parë e dëgjon se emri Adem ka lidhje me kulturën arabe.

“Në aspektin personal privat është e garantuar liria për të ndryshuar emrin, nënshtetësinë, bindjet dhe orientimet politike dhe besoj që duhet të mbetet e pacenuar nga askush meqë është e garantuar me Kur’an, kartën botërore të të drejtave dhe lirive të Njeriut si dhe me Kartën europiane.

Andaj ne nuk flasim për dëshira dhe veprime personale por për parime, dituri dhe vlera.

Ka një rregull shkencore që thotë: (Nëse interpretoni kërkohet saktësi, nëse pretendoni kërkohët dëshmi).

Pretendimi se emri Adem asocon dhe ka lidhshmëri me kulturën arabe është pretendim që kërkon prova dhe dëshmi shkencore, sepse këtë askush nuk e ka thënë deri më tani. Është hera e parë që po dëgjoj se Ademi na paska qenë arab”, deklaroi Shaqiri dhe vijon:

“Emri Adem me shumë është i pranishëm në botën krishtere perendimore sesa në botën islame arabolindore. Këtu kemi të bëjmë me deficit të informacionit dhe mungesë të diturisë. Sa për informatë, asnjë profet s’ka qene arab (pos Muhamedit alejhiselam). Kështu nuk kemi nevoj t’i ndryshojme emrat me paragjykimin se kanë lidhshmëri me kulturën, traditen dhe historinë arabe.

Të gjithë profetet ishin hebrenj të kulturës ibrishte. Pra, emrat e shquar botërorë si: Adam, Abraham, Benxhamin, Moisi dhe Jesus nuk janë arabë”, thotë Shaqiri.
Për fund ai apelon: “Mbani emrat me të cilët u kanë përgëzuar prindërit kjo ju bënë nder”, deklaroi hoxhë Qazmedin Shaqiri. (Lideri.mk)