May 17, 2024
Maqedoni

50 vjet në kurbet, Xhezmi Sulejmani rrëfen historinë e tij të dhimbshme, ka një mesazh (FOTO)

Në moshë shumë të re e kishte marrë rrugën e kurbetit. Planet e Xhezmi Sulejmanit nga fshati Hotël i komunës së Likovës kishin qenë që të qëndrojë një kohë të shkurtër, por ai asnjëherë s’e kishte menduar s’e do të mbetet 50 vite.

Ai në vitin 1973, si 17 vjeçar, ka lëshuar vendlindjen dhe është vendosur në Wels të Austrisë.

69-vjeçari rrëfen për Open-TV historinë e tij të dhimbshme.

“Unë në kurbet kam dal në moshën 17-vjecare. Ka qenë viti 1973. Më ka marrë një bashkëfshatar i imi me emrin Neshat. Kur erdha këtu në Ëels të Austrisë vendi ishte i panjohur. Kushtet e banimit nuk ishin aq të mira, flinim disa veta në dhomat nënkulm. Për shkak se kam qenë me trup i imët asnjë shef nuk me merrte në punë. Pas një kohe një njeri nga Orizarja quhet Mexhit më futi në zanat dhe pas zanatit hyra në punë si saldues. I falënderojë shumë. Dhe, deri në pension e kam punuar të njëjtën punë”, e nis rrëfimin emocionues Xhezmi Sulejmani për Open-TV.

Ai flet për fillimin e jetës së tij të re në Wels të Austrisë.

“Në Wels ka pasur pak shqiptar, janë numëruar në gishta. Jeta ishte e zorshme për ne, sepse duhej vet të përgatitnim ushqimin, të pastronim rrobat e të tjerë. Ndërsa, sot Welsi është plotë me shqiptarë. Jeta është shumë më dinamike. Teknologjia e bëri të vetën. Komunikimi me familjarët është më i lehtë. Pastaj këtu njerëzit janë me famlije dhe ndihen si në vendlindje”, thotë Xha Sulejmani.

Xhezmi Sulejmani në Wels njihet si një atdhetar i madh i cështjes kombëtare. Ai nga kurbeti ka kontribuuar në luftën e Kosovës dhe në konfliktin e vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut.

“Nuk është mirë të flashës për vetën. Por ashtu është sic po thoni ju. Unë nga fillimi kam mbëshetur luftën në Kosovë, e pastaj edhe në Maqedoni. Kemi ndihmuar me mundësitë tona, me të holla dhe armatim. Në luftën e vitit 2001 në Maqedoni shtëpia ime ka qenë një prej bazave të UÇK-së. Nuk kemi kursyer asgjë nga vetja”, tregon Xhezmiu.

“Në kurbet kanë kontribuur të gjithë mërgimtarët, por Xhezmi Sulejmani ka qenë i vecantë. Ai është zemërmadh, njeri bujar, që ndihmon mjaftë. Shtëpia e tij në Wels dhe në Hotël gjithmonë është e hapur për njerëz”, bashkohet në bised mërgimtari tjetër Hulusi Ramadani, që kishte ardhur për pushim njëjavor në vendlindjen e tij në Kumanovë.

Xhezmiu sot është në pension dhe gëzon shëndet të mirë. Ai më shumë jeton në Hotlën e tij sesa në Wels të Austrisë. Dëshira e tij është që fëmijët të kthehen, por e ka vështirë t’i bindë djemtë.

“Unë tash jam në pension. Jam pensionuar në vitin 2007. Dhe, unë më shumë e kaloj në fshatin tim Hotël sesa në Wels. Dëshira ime është të jetoj këtu, por fëmijët nuk po më dëgjojnë. Atyre po iu duket më mirë atje. Kanë blerë shtëpia në Wels, janë nëper punë, kanë krijuar familje dhe nuk po iu vihet. Kanë jetë të mirë”, thekson Xhezmi Sulejmani, i cili për fund ka një mesazh.

“Apeli im për rininë është që rinia të rrinë këtu dhe mos ta braktisin vendlindjen, sepse kurbeti megjithate është i rëndë”, e përfundon rrëfimin e tij Xhezmi Sulejmani. (Open-TV)