Alban Dervishi, me origjinë shqiptare, ka hyrë në histori duke u bërë shqiptari i parë që merr komandën e një luftanijeje amerikane. Ai është emëruar zyrtarisht komandant i anijes amfibe “USS Pearl Harbor”, një nga simbolet më të fuqishme të Marinës së Shteteve të Bashkuara.

Ceremonia e ndërrimit të komandës u zhvillua në San Diego, Kaliforni, dhe u përshëndet edhe nga Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila e cilësoi këtë moment si një arritje historike për komunitetin shqiptar.

Karriera e Dervishit në Marinën Amerikane nisi në moshën 18-vjeçare. Me përkushtim, disiplinë dhe profesionalizëm, ai u ngjit gradualisht në hierarkinë ushtarake, duke arritur sot një nga pozicionet më prestigjioze: komandant i një anijeje luftarake strategjike.

“USS Pearl Harbor” është e specializuar në operacione amfibe dhe misione ndërkombëtare të ndërhyrjes, duke vepruar në pika të ndryshme të globit. Tashmë, kjo anije komandohet nga një shqiptar — një dëshmi se puna, talenti dhe karakteri nuk njohin kufij.

sqShqip