Të rritet shkëmbimi prej 207 milionë në një miliard euro, të hapen korridore për të gjitha vendet që nuk kanë det, të hiqen barrierat doganore, ndërsa Durrësi të bëhet alternativë për portin e Selanikut, porositën biznesmenët nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria në forumin e sotëm të biznesit “Përtej kufijve”, që po mbahet në Shkup. Ata folën për nevojën për lidhje më të mirë, infrastrukturë më të mirë dhe paraqitje të përbashkët në tregjet e treta, shkruan gazeta KOHA.
“Bashkëpunimi ekonomik është i mirë, por mund të jetë shumë më i mirë. Duke marrë parasysh lidhjen midis dy vendeve, shifrat janë të pakënaqshme. Vitin e kaluar, shkëmbimi arriti në 180 milionë euro, ose rritje prej 40 milionë eurosh krahasuar me vitin 2020. Në tremujorin e parë të vitit 2026, shkëmbimi është 38 milionë euro. Kjo është mirë, por duke marrë parasysh lidhjen midis dy vendeve, atëherë këto shifra janë të pakënaqshme dhe duhet të jenë shumë, shumë më të larta. Është e çuditshme se si arrijmë të tregtojmë me Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe, dhe jo me njëra-tjetrën, në rajon. Mendoj se kjo është një sfidë serioze”, theksoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski. Sipas tij, përveç lidhjes më të mirë dhe infrastrukturës më të mirë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë i nevojitet edhe ndryshim i mentalitetit.
Ambasadori shqiptar në vend, Denion Mejdani, tha se sfidë kyçe për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është t’i fuqizojnë lidhjet dhe ta intensifikojnë bashkëpunimin. “Korridori 8 është projekt strategjik, i cili i vendos vendet tona në arkitekturën evropiane të transportit. Rruga drejt prosperitetit është më shumë besim, më shumë investime, energji, projekte të përbashkëta… Shqipëria e sheh Maqedoninë si një partner natyror. Është çështje zgjedhjeje nëse do të mbetemi në periferi apo do të jemi pjesë e trendeve moderne dhe do të ndërtojmë një fqinjësi të mirë”, theksoi ambasadori.
Sipas kryetarit të Odës Ekonomike, Branko Azeski, kriminelët më shumë se biznesmenët i shfrytëzojnë “përparësitë” për bashkëpunim më të madh. “Turp që biznesmenët, kriminelët janë përpara nesh. Le të bashkohemi, të mbyllim vrimat dhe të shfrytëzojmë potencialin për të forcuar bashkëpunimin, për të rritur tregtinë dhe shkëmbimin”, theksoi Azeski.
Ka folur edhe profesori Ruzhdi Matoshi, ndërsa ka theksuar se zhvillimi real i biznesit kërkon më shumë se diskutime dhe deklarata. Sipas tij, nismat e tilla janë të mirëpritura, pasi reflektojnë nevojën për avancimin e bashkëpunimit ekonomik, por përpara se të nxirren përfundime për ndikimin e tyre, institucionet duhet të dëshmojnë angazhim konkret në terren. “Ky forum mund të them se është një zhvillim pozitiv, i cili i rendimenton kërkesat e zhvillimit biznesor. Mirëpo, përpara se të japim konkluzionet për efektet pozitive të këtij forumi duhet që qeveritë duhet të japin shembuj konkretë në aktivitetet të cilat nxisin dhe rrisin bizneset mes dy vendeve. Ne kemi pasur një projekt, i quajtur ‘Porti i thatë i Strugës’, i cili do të krijonte lidhje të drejtpërdrejtë me Portin e Durrësit, por tani nuk ekziston. Qeveria aktuale as që e ka në agjendën e vet. Po ashtu edhe Korridori i 8- të, i cili nga deklaratat e Qeverisë aktuale që oshilojnë në aspektin e implmentimit, duke abuzuar sa me të dhënat nga UNESCO, apo duke mos pasur një qasje të drejtpërdrejtë nga Qeveria sa i takon buxhetit”, theksoi Matoshi.
Një tjetër projekt i rëndësishëm, sipas Matoshit, është hekurudha Kërçovë-Shqipëri, e cila aktualisht mbetet më shumë në nivel deklarativ. “Në këtë linjë janë edhe procedurat për hekurudhën Kërçovë-Shqipëri, ky projekt për momentin është më shumë deklarativ sesa pjesë e aktiviteteve konkrete, planeve apo masave për ta realizuar. Një aktivitet tjetër që duhet të rrisë fluksin e bizneseve është fokusi ku duhet të orientohet sipërmarrësia maqedonase në tregun shqiptar. Fluksi i turistëve në Shqipëri që pritet të jetë 15 milionë dhe ky treg konsumi që nuk mund të plotësohet nga bizneset shqiptare duhet të orientojnë kompanitë e industrisë ushqimore të Maqedonisë në bashkëpunime me ato shqiptare për plotësimin e nevojave të konsumatorit në Shqipëri. Një element tjetër i rëndësishëm do të ishte plotësimi i standardeve, sidomos kur bëhet fjalë për një kërkesë të BE, që kërkon produkte të standardizuara”, tha Matoshi.
Ndryshe, investimet, lidhja dhe turizmi, janë në fokus të forumit të cilin e organizon Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë. Janë paralajmëruar tre panele në këto tema, ndërsa marrin pjesë përfaqësues të institucioneve, investitorë dhe liderë afaristë nga të dyja vendet. Siç u tha, forumi i ardhshëm pritet të jetë në Tiranë. (koha.mk)

