May 16, 2024
Kosovë

Shpërthimi i mbrëmshëm në Mitrovicë me dy të plagosur qërim hesapesh i serbëve mes veti?

Pas plagosjes së dy personave në veri nga sulmi me granatë dore, Policia e ka përjashtuar mundësinë e motivit etnik, teksa konfirmoi së tashmë janë identifikuar dy persona që janë me interes për intervisim. E këtë sulm politikanët serbë e ndërlidhën me përvjetorin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, teksa thanë se rasti është një mesazh për serbët se mund t’i presë fat i njëjtë me ish-politikanin serb po qe se nuk i binden pushtetit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq

Policia ka identifikuar dy persona që janë me interes për intervistim në lidhje me sulmin me granatë dore në Mitrovicë të Veriut, të hënën mbrëma.

Si pasojë e shpërthimit dy persona morën lëndime, ndërsa u dëmtuan disa vetura.

Zëvendësdrejtori i Policisë për Veriun, Veton Elshani, ka treguar për KOHËN se zyrtarët policorë kanë shkuar në shtëpitë e dy të identifikuarve, por nuk i kanë gjetur aty.

“Njësitet policore relevante si dhe prokurori i rastit ishin në vendin e ngjarjes dhe janë marrë me rastin. Njësiti i hetimeve rajonale i Mitrovicës së Veriut ka vazhduar punën sot me intensitet të shtuar dhe tashmë ka identifikuar dy persona të cilët janë persona me interes për intervistim. Të njëjtët janë kërkuar edhe në shtëpitë e tyre, por nuk janë gjetur. Besohet se ky konflikt ishte pasojë e problemeve të mëhershme mes këtyre personave”, ka thënë Elshani.

Sipas tij, Policia e Kosovës ka arsye të besojë se nuk ka kurrfarë prapaskene etnike në këtë rast.

Në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë kanë thënë se personi që plagosi dy të tjerë me granatë dore në veri nuk është identifikuar ende. Valon Preteni nga kjo prokurori ka deklaruar se i dyshuari e ka hedhur mjetin shpërthyes në drejtim të dy viktimave, të cilët kanë pësuar plagë trupore.

“Më 15 janar 2024 rreth orës 23:52, rrugën ‘Knjaz Millosh’ në Mitrovicë të Veriut, një person deri tash i paidentifikuar ka hedhur një mjet shpërthyes që dyshohet të jetë granatë dore, në drejtim të dy viktimave të cilët kanë pësuar plagë trupore”, ka thënë ai.

Preteni ka shtuar se rasti po hetohet për tri vepra penale.

“Prokurori kujdestar i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe së bashku me policinë rasti është duke u hetuar për veprat penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’, ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, ka shtuar ai.

Të martën në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipe të EULEX-it dhe të KFOR-it.

“Sulmi, mesazh për serbët”

Derisa autoritetet ende nuk i kanë zbardhur motivet e sulmit, politikanë serbë e kanë ndërlidhur atë me përvjetorin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Rada Trajkoviq ka thënë se shpërthimi i së hënës është mesazh për serbët se mund ta pësojnë njëjtë si ish-politikani Ivanoviq.

“Kur shteti nuk punon për sigurinë e qytetarëve dhe i lejon të dominojnë pjesëmarrësit në organizuan vrasjen e Ivanoviqit ky lajm s’përbën befasi. Ky është mesazh, mbi të gjitha, për serbët e veriut të Kosovës: Ne jemi këtu! Nëse nuk jeni besnikë, do të përfundoni si Oliveri”, ka thënë Trajkoviq për televizionin “N1”.

Sipas saj, ekziston një dokument për përfshirjen e Milan Radoiçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit në vrasjen e Ivanoviqit, i cili ka ardhur nga qeveria amerikane.

“Ata janë shënuar në listën e zezë si të përfshirë në organizimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Njerëzit nuk futen në listën e zezë pa prova dhe materiale. Nuk e di se sa i ka kërkuar vendi ynë qeverisë amerikane që t’i informojë për gjetjet e saj për vrasjen e Oliverit, por nuk mendoj se ka kërkuar diçka. Edhe Veselinoviqi edhe Radojçiqi janë njerëz me besimin më të madh të biznesit të Qeverisë së Serbisë dhe Aleksandar Vuçiqit, sepse ata marrin projektet më fitimprurëse dhe janë bërë milionerë”, ka thënë Trajkoviq.

Sipas saj, Milan Radoiçiq është nën hetim për sulmin në Banjskë dhe se Serbia duhet të mbahet drejtpërdrejt përgjegjëse për të.

“Ka zëra se ai ndodhet në veri të Kosovës dhe se po përgatit hakmarrje për të rinjtë e vrarë. Në përgjithësi, ne shohim dhe presim që ambasadori amerikan Christopher Hill ta pyesë Vuçiqin se pse personat që janë në listën e zezë janë bashkëpunëtorët e tij më të mëdhenj”, është shprehur Trajkoviq.

Novakoviq: Serbia, shtet i vrasjeve politike

Në përvjetorin e gjashtë të vrasjes së Ivanoviqit, të martën u ndezën qirinj në veri. Deputeti i opozitës në Kuvendin e Serbisë, Borislav Novakoviq, ka thënë se Serbia është bërë shtet i vrasjeve politike.

“Prapa nesh janë vrasjet politike të Ivan Stamboliqit, Zoran Xhinxhiqit, atentati në Vuk Drashkoviqin, vrasja e Curuvisë dhe së fundi vrasja e Oliver Ivanoviqit. Këto e rëndojnë ndërgjegjen e kësaj shoqërie. Serbia nuk mund të jetë shtet i civilizuar. Janë të turpshme fjalitë të cilat i dëgjojmë nga përfaqësuesit e pushtetit”, ka thënë Novakoviq. “Do t’ju përkujtoj se në Kuvend kemi pasur rastin të dëgjojmë ministrin e policisë i cili akuzon Gjermaninë se e din kush është vrasësi dhe se e mbron atë. I njëjti, Gashiq, në kohën e vrasjes ka qenë kryesori në BIA, ndërsa në momentin kur jep deklaratë, e cila është e papërgjegjshme, është njeriu i parë i policisë serbe. Kështu nuk veprohet. Ne nuk do të qetësohemi derisa të mos zbulohen vrasësit, urdhërdhënësit, si dhe organizatorët e kësaj vrasjeje”.

Ndërkaq deputeti tjetër Serxhan Millivojeviq nga Partia Demokratike, ka përmendur kërkesën e bërë në Kuvendin e Serbisë për formimin e një Komisioni, i cili do të hetonte rrethanat e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, por të cilën, siç tha ai, regjimi i Vuçiqit nuk e lejoi kurrë.

“Ne në Kuvendin e Serbisë kemi dorëzuar kërkesën për formimin e një Këshilli i cili do të hetonte të gjitha rrethanat e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Asnjëherë regjimi i Aleksandar Vuçiqit nuk ka lejuar formimin e këtij Këshilli. Urdhërdhënësit dhe inspiruesit e këtij krimi janë të njohur, ata janë të njëjtit të cilët spotet monstruoze i kanë sjell në Tv Pink dhe Tv Most katër muaj para vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Do t’ju përkujtoj se ajo që quhet spot është nënshkruar nga Lista serbe, partnerit të koalicionit të Albin Kurtit. Ky regjim tradhtar dhe mafioz mban në ndërgjegje këtë gjak të virgjër”, ka thënë Millivojeviq.

E ish bashkëshortja e parë e politikanit të vrarë, Marina Ivanoviq, gjatë ndezjes së qirinjve, ka deklaruar shkurt se, “ne që sot ndezim qirinj jemi tradhtarë të popullit serb”.

Në fund të dhjetorit, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër të pandehurit M.M. për rastin e vrasjes së politikanit serb. Prokuroria ka njoftuar se aktakuza është ngritur për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, ‘’Kanosja” dhe ‘’Falsifikimi i dokumenteve”.

Në rastin e vrasjes e Ivanoviqit, po gjykohen gjashtë persona, katër prej tyre ish-policë serb në veri. Ata akuzohen se ndihmuan në forma të ndryshme në vrasjen e politikanit nga Mitrovica dhe se e dëmtuan procesin hetimor për zbardhjen e rastit. Të akuzuar të tjerë që ndodhen në arrati janë Millan Radojçiq, Zvonko Veselinoviq e Zheljko Bojiq.

Oliver Ivanoviq ka qenë dy herë deputet i Kuvendit të Kosovës, ndërsa nga viti 2008 deri në vitin 2012 ka qenë edhe sekretar shtetëror në të ashtuquajturën Ministri për Kosovë e Metohi, në kohën kur ministër ishte Goran Bogdanoviq.

Në janar të vitit 2014, Ivanoviqi ishte arrestuar në bazë të një aktakuze për krime lufte të ngritur nga misioni EULEX në Kosovë. Aktakuza e ngarkonte atë për organizimin e keqtrajtimit dhe vrasjes së civilëve shqiptarë në Mitrovicë si pjesëtar i formacioneve paraushtarake serbe.

Në shkallën e parë ai u dënua me nëntë vjet burgim, ndërkaq në qershor të vitit 2017, Gjykata e Apelit e pati kthyer rastin në rigjykim. Ivanoviq u vra një vit më vonë, në rrethana ende të pazbardhura.