July 22, 2024
Maqedoni

Shoqëruesi i dhëndrrit të Ahmetit, bashkëpronar i kompanisë që fitoi tender 120 milion euro

Kushtrim Smajlaj dhëndërr i liderit të BDI-së Ali Ahmeti e ka themeluar firmën “K.S.A. International” në janar të vitit 2022 dhe po gjatë atij viti ka arritur rezultate të suksesshme. Deri para pak kohësh, partner biznesi në atë kompani e kishte Erxhan Sulkoskin. I njëjti Sulkoski, përvec në firmën e dhëndrit të Ali Ahmetit, në vitin 2022 u bë bashkëpronar edhe i kompanisë RKE të Ratko Kapushevskit, i cili e fitoi tenderin më të madh historik për furnizim me mazut për nevoja të shtetit, vlera e të cilit ishte rreth 120 milionë euro.

Si arriti firma e dhëndri të vajzës së Ali Ahmetit, Kushtri Smajlaj të bëjë qarkullim prej 12 milionë euro dhe profit prej 2,5 milionë euro gjatë vitit të parë të themelimit dhe punës.

Kjo ishte njëra ndër pyetjet që iu parashtruar liderit të BDI-së Ali Ahmeti gjatë intervistës për “360 shkallë” („360 степени“” që u emetua në Televizionin Shtetërorë të Maqedonisë (MRT).
Përgjigjja e Ahmetit ishte se ai është i vetdijshëm për atë se dhëndërri ka biznes, por u distancua për të shpalosur të dhëna konkrete.

“Unë nuk di të dhëna konkrete… Kushtrimin e kam dhëndër, Uskana është vajza ime. Por, prokuroria, gjyqësia, askush nuk amnistohet, para ligjit të gjithë janë të barabartë. Unë nuk mendoj se Kushtrimi dhëndërri im, është i vetëm, sigurisht që është bashkë edhe me kompani tjera. Nuk mundem unë t’ua ndalojë askujt prej familjes time që të mos merret me aktivitete. Por një gjë ua kam bërë me dije se para ligjit të gjithë janë të barabartë, si cdo qytetarë tjetër”, ka thënë Ali Ahmeti.

Në vërejtjen e gazetarit se megjithatë duhet të pajtohet se 12 milionë euro qarkullim dhe 2.5 milionë profit, janë shumë para për as një vit të plotë (‘2022) për një firmë në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti është përgjigjur se firma nuk është vetëm e dhëndërrit të tij.

“Mendoj se janë më shumë kompani. Nuk është e gjithë kompania e Kushtrimit. Për më shumë detaje, mund të hulumtoni…”, ka deklaruar Ahmeti.

Hulumtimi i të dhënave në Regjistrin Shtetërorë Qendror tregon se dhëndërri i Ali Ahmetit, Kushtrim Smajlaj, momentalisht është i vetmi pronar i kompanisë “K.S.A. International”. Më parë kur e themeloi firmën në janar 2022, kishte edhe një partner – Erxhan Sulkoski, por ai tanimë një muaj nuk është bashkëpronar i “K.S.A. International”.