July 22, 2024
Maqedoni

Një ministri të BDI-së i është refuzuar viza amerikane? Ja çka thonë nga ambasada në Shkup!

Sekretari i përgjithshëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi ka ndarë me opinionin një informacion, sipas të cilit Ambasada amerikane në Shkup ia ka refuzuar vizën njërit prej ministrave të BDI-së.

“Kur jemi te pyetjet publike, opinioni hala nuk mori përgjigje se cilit nga ministrat e BDI-së i është refuzuar viza amerikane dhe pse ka ndodhur kjo.
A mos, ndoshta, dëshiron të përgjigjet Artan Grubi?”, ka pyetur për herë të dytë Ibrahimi përmes Facebookut.

Lidhur me këtë informacion, portali Lideri.mk ka kërkuar reagim ambasada amerikane në Shkup, prej ku janë përgjigjur se për shkak të privatësisë së aplikacionit sektori konsulliir pranë ambasadës nuk komenton asnjë informacion që ka të bëjë me aplikimin e qytetarëve për vizat, qofshin ata edhe funksionarë.

Ndryshe, Faqja zyrtare e Departamentit Amerikan të Shtetit ka publikuar të dhënat për përqindjen e kërkesave për viza të refuzuara për SHBA-në në vitin 2022. Sipas ketyre të dhenave, Maqedonia e Veriut është ndër vendet e rajonit që qëndrojnë më keq në këtë “kategori”.

Në statistikat e publikuara sipas shteteve nga të cilat janë pranuar aplikacionet, thuhet se vitin e kaluar janë refuzuar 26,29 për qind e aplikacioneve të aplikantëve nga Republika e Maqedonisë së Veriut, përcjell KlanM.

Në dokumentin zyrtar thuhet se gati 20 për qind e aplikimeve për viza amerikane janë refuzuar nga Bosnja dhe Hercegovina, 5.56 për qind nga Kroacia, 13.47 për qind nga Sllovenia, 19.45 për qind nga Serbia, 17.93 nga Kosova, 27, 55 nga Shqipëria dhe 34 për qind nga Mali i Zi.

Në listën e publikuar përfshihen edhe vendet me zero për qind, pra ato të cilave nuk u është refuzuar asnjë aplikim ose nuk kanë kërkuar as vizë. Këto janë Andorra, San Marino, Koreja e Veriut, Monako dhe Ishujt Marshall.

3,66 për qind e kërkesave për viza për në Shtetet e Bashkuara u refuzuan për aplikuesit nga Argjentina, Austria – 6,97 për qind, Barbados 6,55 për qind, Brunei 5,41 për qind, Zvicra 3,05 për qind, Papua Guinea e Re 4,93 për qind, Guatemala 5,45 për qind, Islanda 24 për qind, Izraeli 3,2 për qind, Tajvani 4.56 për qind.

I vetmi vend prej ku janë refuzuar të gjitha aplikimet për viza amerikane është Mikronezia me 100 përqind, e ndjekur nga Mauritania me 89 përqind.

Ndër vendet me përqindje të lartë të vizave të refuzuara janë Senegali me 66 përqind, Afganistani 52 përqind, Burundi 69 përqind, Kanadaja 58 përqind, Çadi 69 përqind, Kuba 56 përqind, Xhibuti 74 përqind, Nauru 66 përqind, Guinea Bisau 61 përqind, Irani 54 për qind, Ruanda 62 për qind, Jemeni 56 për qind.

Ashtu siç pritej, MPJ e Maqedonisë së Veriut fajin për përqindjen e lartë të vizave të refuzuara amerikane e ka hedhur te qytetarët.

“Në këtë kontekst, theksojmë se përqindja e lartë e vizave të refuzuara prej të paktën 30% është për shkak të aplikimeve të papërshtatshme, për të cilat planifikojmë të fillojmë së shpejti një fushatë për edukimin e qytetarëve për procesin e aplikimit dhe kushtet që duhet të plotësohen, në mënyrë që për të marrë një vizë për në SHBA.

Procesi i anulimit të vizave për qytetarët e Maqedonisë së Veriut për të hyrë në SHBA është një proces afatgjatë dhe kompleks, i cili kërkon aktivitete të vazhdueshme, për të cilat ne po punojmë me përkushtim. Në të njëjtën kohë, anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Programin për regjimin pa viza u bë pjesë e Dialogut Strategjik me SHBA-në dhe është ndër projektet në Planin e Veprimit, i cili u miratua në seancën e Qeverisë në shkurt të këtij viti”, thuhet në reagimin e MPJ.

Aty poashtu njoftohe se me vendim të Qeverisë është formuar grupi punues ndërinstitucional i udhëhequr nga Ministria e Punëve të Jashtme, i cili përbëhet nga përfaqësues të institucioneve tjera relevante që punojnë për plotësimin e kushteve për vendosjen e regjimit pa viza me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me çka Maqedonia e Veriut është bë ndër shtetet e fundit që ka filluar këtë proces./Lideri.mk