April 26, 2024
Shqipëri

New York Times e “godet” Edi Ramën: Si i ndihmoi agjenti i FBI-së kryeministrit të Shqipërisë?

Përkundër mohimeve të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, se hetimi i hapur ndaj ish-zyrtarit të FBI në ShBA, McGonigal nuk ka të bëjë me të, mediat më të mëdha amerikane në fokus të shkrimeve të tyre në lidhje me çështjen vazhdojnë të kenë marrëdhënien e tyre.

Në një artikull të publikuar së fundmi nga New York Times, ndërsa përshkruhet koha e McGonigal si një zyrtar i besuar i FBI-së, e më pas zbulimi i përdorimit të pozitës që mbante për përfitimet e tij, flitet edhe për marrëdhënien e zhvilluar me Edi Ramën dhe hapat e ndërmarrë në dobi të politikanit shqiptar.

“Sipas prokurorëve në Uashington, ndërsa ishte ende në F.B.I., ai zhvilloi një marrëdhënie me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe ndërmori hapa në dobi të politikanit,”– shkruan NYT, ndërsa shton se, “Rama e ka portretizuar veten si një reformator dhe në kundërshtim me luftën e Rusisë në Ukrainë. Por sipas aktakuzëz së McGonigal, pas daljes në pension të tij në 2018, ai punoi në listën e pagave të një oligarku rus të sanksionuar Oleg Deripaska, që dikur shihej si anëtar i rrethit të ngushtë të Presidentit Vladimir V. Putin.”

Sipas medias amerikane, zyrtarët kanë thënë se krimet më të hershme për të cilat McGonigal akuzohet datojnë në gusht 2017, por vlerësimi i dëmit të F.B.I. ka të ngjarë të shikojë shumë më tej. Ndërsa shtohet se fakti që ai mund të ketë gënjyer ndërsa ishte në zyrë për pranimin e parave të gatshme nga një bashkëpunëtor biznesi dhe kontaktet me individë të huaj, ka ngritur gjithashtu shqetësime për gjerësinë dhe kohëzgjatjen e mashtrimeve të tij të mundshme.

Njoftohet se edhe pse është kontaktuar për koment një avokat i McGonigal, Seth D. DuCharme, ai nuk u është përgjigjur kërkesave, megjihatë pas aktakuzës së javës së kaluar, avokati kishte thënë se “McGonigal i kishte “shërbyer Shteteve të Bashkuara me aftësi, në mënyrë efektive, për dekada” dhe se ekipi i tij ligjor mezi priste të shqyrtonte provat e qeverisë.

McGonigal ka dalë në pension nga F.B.I. në vitin 2018 si agjent special i ngarkuar me kundërzbulimin në Nju Jork, duke raportuar te drejtori i zyrës në terren. Kundërzbulimi, i cili në F.B.I. fokusohet në identifikimin dhe çrrënjosjen e mbledhjes së inteligjencës së huaj në tokën amerikane, është veçanërisht i rëndësishëm në Nju Jork, ku prania e Kombeve të Bashkuara dhe misioneve të shumta diplomatike paraqesin mbulesa të bollshme për spiunët e mundshëm.

Ish-zyrtarë të F.B.I-së, kanë thënë roli i rangut të lartë që ka pasur McGonigal, i ka dhënë atij një pamje të gjerë të asaj që po ndodhte në të gjithë agjencinë dhe komunitetin e inteligjencës, dhe përfshirjen në vendimet strategjike si ku të drejtoheshin skuadrat e agjentëve specialë të nivelit tokësor.

Ata më tej kanë shtuar se për këtë arsye, në përgjithësi roli i tij nuk do të kërkonte udhëtime të gjera ndërkombëtare, të përfshinte takime me krerët e shteteve ose të përfshinte përfshirje të drejtpërdrejtë në hetimet në vazhdim, për të cilat po akuzohet aktualisht McGonigal.

“Ju po flisni për katër nivele mbi hetuesit aktualë,” – është shprehur Clayt Lemme, një ish zyrtar i F.B.I. që ka mbikëqyrur kundërzbulimin në zyrën e Byrosë në Uashington. “Në rrethana normale, ai nuk do të përfshihej në vendimin e përditshëm për hapjen e një çështjeje ose mbylljen e një çështjeje,”-ka shtuar ai.

Më pas duke komentuar vizitat në Shqipëri, ish-zyrtarët kanë thënë se, “gatishmëria e McGonigal për t’u takuar me kreun e shtetit në Shqipëri, një vend që ka një prani diplomatike amerikane, sugjeron se ai nuk po e mbante të fshehtë përfshirjen e tij atje nga kolegët. Bazuar edhe se ai ka përdorur adresë emaili dhe telefon nga FBI për çështjet që lidhen me Shqipërinë.”

Megjithatë, disa persona të tjerë të njohur me çështjen kanë thënë për NYT, se çfardo preteksti zyrtar që McGonigal mund të kishte për ato udhëtime, FBI mund t’i ketë shërbyer si mbulesë për aktivitete të diskutueshme.

“Fakti që krimet e dyshuara ndodhën pak përpara daljes në pension të tij, sugjeron që McGonigal mund të ketë filluar ose rritur aktivitetet e paligjshme pasi ka kryer testin e fundit të kërkuar të poligrafit, të cilat supozohet se do të administrohen çdo pesë vjet. Ish-zyrtari, Triplett ka shtuar se, tradhtia e agjencisë nga dikush me pozitën e McGonigal për 225,000 dollarë, nëse vërtetohet, do të ishte befasuese duke pasur parasysh se ish-zyrtarët mund të fitojnë shuma të konsiderueshme si konsulentë pas daljes në pension, përveç pensioneve të majme,”- shkruan NYT.

Akt-akuza e Uashingtonit ndaj McGonigal detajon se si, gjatë dy viteve, z. McGonigal ka paraqitur informacione të rreme financiare në FBI. Prokurorët gjithashtu kanë thënë McGonigal ka gënjyer për destinacionet e tij të udhëtimit dhe ndërveprimet me të huajt, në formularët që ai duhej të plotësonte dhe ka ndërmarrë veprime që duket se kanë rënë në kundërshtim me detyrat e tij qeveritare.