Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka nisur procedurë kundër një 36-vjeçari, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Lëndim trupor”, “Rrezikim i sigurisë” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Sipas prokurorisë, mbrëmë rreth mesnatës, në shtëpinë familjare në Shkup, i dyshuari ka ushtruar dhunë familjare duke i shkaktuar lëndime trupore bashkëshortes së tij dhe nënës së saj.

Me qëllim që t’i frikësojë dhe shqetësojë, ai ka bërtitur dhe ka kërcënuar bashkëshorten dhe dy fëmijët e tyre, të moshës 6 dhe 4 vjeç. Kur gruaja i kërkoi të ndalonte, ai e kapi për dore dhe e shtyu, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Më pas, i dyshuari ka filluar të thyejë orenditë e shtëpisë dhe me një tavolinë të vogël ka goditur në drejtim të nënës së bashkëshortes, duke e lënduar në këmbë dhe në kraharor.

Ai ka vazhduar me kërcënime serioze, duke thënë se do t’i vriste të gjithë, madje edhe se do ta mbyste fëmijën e tij. Në një moment ka nxjerrë edhe një thikë me të cilën ka lëvizur në mënyrë kërcënuese, duke shkaktuar frikë dhe ndjenjë pasigurie tek të dëmtuarit.

" "

Bashkëshortja ka arritur të telefonojë babanë dhe vëllain e saj për ndihmë. I dyshuari ka vazhduar t’i kërcënojë edhe ata me thikë, ndërsa më pas ka lëshuar në oborr qenin e tij të racës “Qeni i Sharrit”, i cili ka kafshuar njërin prej familjarëve në krah dhe në këmbë, duke i shkaktuar plagë nga kafshimi.

Duke marrë parasysh rrezikun e arratisjes, si dhe mundësinë që i dyshuari të përsërisë veprat e dhunës familjare, prokurori publik i ka propozuar Gjykatës Themelore Penale në Shkup caktimin e masës së paraburgimit.

sqShqip