May 23, 2024
Maqedoni

Shënohet 7 marsi – Dita e mësuesit, Ahmeti uron pishtarët e arsimit

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, me rastin e 7 Marsit – Ditën e mësuesit, uroi pishtarët e arsimit. Sipas tij, në kauzën tonë mbarëkombëtare roli i pishtarëve të arsimit ka qenë dhe mbetet jetik për përjetësinë e kombit.

“Le të kujtojmë për çdo ditë të gjithë ata misionarë të arsimit në gjuhën tonë amtare që mbajtën të pashuar flakadanin e dijes dhe me këtë ruajtën indin tonë kombëtar nga kthetrat e asimilimit. Në kauzën tonë mbarëkombëtare roli i pishtarëve të arsimit ka qenë dhe mbetet jetik për përjetësinë e kombit dhe mbjelljen e atdhedashurisë tek brezat e rinj që nuk duhet të harrojnë të kaluarën e lavdishme dhe me dije duhet të vazhdojnë të prijnë kauzat e reja kombëtare. Duke kujtuar 137 vjetorin e hapjes së mësonjëtores së parë në Korçë, le të reflektojmë sot mbi peshën e madhe të shkollave shqipe të përhapura gjithandej vendit, mbi peshën e tre universiteteve tona kombëtare që sot janë fole të padiskutueshme të përparimit! Gëzuar 7 marsin! E përjetshme qoftë gjuha jonë e bukur!”, shkruan Ahmeti në postimin e tij rrjetet sociale.