Rajon - Botë

SHBA, regjistrohet shifra më e lartë e rasteve me koronavirus në gjashtë muaj

Autoritetet amerikane janë duke regjistruar shifrat më të larta të të infektuarve dhe shtrirëve në spital me koronavirus, në krahasim me gjashtë muajt e fundit.

Ai që në fillim është konsideruar vetëm si shpërthim në disa shtete gjatë muajit korrik, tani është duke u përhapur me shpejtësi.

Jugu është më i prekur nga ky shpërthim përfshirë, Arkansasin, Floridan, Luizianan dhe Misisipin.

Koronavirusi është duke u përhapur edhe në zonat me shkallë të lartë të vaksinimit, teksa mesatarja javore ka shkuar në 110,000 raste, apo dyfish më shumë në krahasim me dy javët e fundit.

Më shumë se 65,000 persona janë shtrirë në spital, apo katër herë më shumë sesa në fillim të korrikut.

Rreth 500 viktima janë duke u regjistruar brenda ditës, që i bie 100 për qind më shumë rritje në dy javë.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ka renditur 38 nga 50 shtetet si zona me përhapje të madhe të koronavirusit, meqë është thënë se kanë 100 raste për 100,000 banorë.

Përhapja e këtij virusi vjen pavarësisht pse 60 për qind e personave mbi moshën 12-vjeçare janë vaksinuar plotësisht.

Numri më i madh i rasteve të reja, të shtrirëve në spital dhe të vdekurve është regjistruar në mesin e të pavaksinuarve.

Akademia Amerikane e Pediatërve ka thënë përmes një raporti më 9 gusht se 94,000 raste të infektimit janë regjistruar në mesin e fëmijëve një javë më parë, çka përbën 15 për qind të të gjitha infektimeve.