SHBA, ish-polici i dënuar për vrasjen e George Floyd u godit me thikë në burg
Ish-oficeri i policisë në Minneapolis i dënuar për vrasjen e George Floyd u godit me thikë në një burg në Arizona, një vrasje që shkaktoi protesta masive në të gjithë SHBA-në 3 vjet më parë, transmeton Anadolu.
I burgosuri Derek Chauvin u sulmua të premten në Institucionin Federal Korrektues Tucson. Ai është në gjendje stabile, raportoi CNN.
“Një i burgosur u sulmua në burgun Tucson në Arizona rreth orës 12:30 sipas kohës lokale”, tha policia në një deklaratë të mëparshme, duke konfirmuar më vonë se ishte Chauvin.
Në deklaratë thuhet se i plagosuri është dërguar në spital, ndërsa nga efektivët që kanë ndërhyrë nuk ka të lënduar.
Prokurori i përgjithshëm i Minesotës, Keith Ellison, zyra e të cilit ndoqi penalisht ish-policin Chauvin në vrasjen e George Floyd, u informua se Chauvin ishte goditur me thikë dhe është në gjendje stabile.
“Jam i pikëlluar kur dëgjova se Derek Chauvin ishte objektiv i dhunës. Ai u dënua siç duhet për krimet e tij dhe si çdo i burgosur, duhet të jetë në gjendje të vuajë dënimin pa frikë nga hakmarrja ose dhuna”, tha Ellison.
Më 25 maj 2020, Chauvin vrau afroamerikanin George Floyd. Ai i mori jetën gjatë kapjes duke i vënë gjurin në qafë për gati dhjetë minuta.
Pamjet e vrasjes brutale shkaktuan protesta kundër brutalitetit të policisë dhe padrejtësisë racore në të gjithë SHBA-në. Ai u dënua me disa dekada burg për akuzat për vrasje dhe vrasje nga pakujdesia.