Profesori universitar Jeton Shasivari ka deklaruar se nuk janë të sakta pretendimet se Ligji i ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nuk parasheh mekanizma përgjegjësie për zyrtarët dhe institucionet.
Në një paraqitje në Alsat M, Shasivari, i cili ka marrë pjesë edhe në përpilimin e propozim-ligjit, theksoi se përgjegjësia politike është një nga format më të rëndësishme të sanksionimit institucional.
“Kur një funksionar, një udhëheqës e humb besimin, vjen shkarkimi. Shkarkimi është sanksioni më i rëndë politik dhe kjo është përgjegjësia politike”, deklaroi Shasivari.
Ai sqaroi se përgjegjësia politike quhet e tillë pikërisht sepse nuk mund të rregullohet me norma ligjore, ndërsa moszbatimi i detyrimeve ligjore, sipas tij, paraqet bazë për përgjegjësi disiplinore dhe administrative.
Shasivari shtoi se raporti publik që parasheh ligji është një mekanizëm institucional që do t’i dorëzohet Qeverisë, do të jetë publik dhe do të krijojë presion nga opinioni publik ndaj institucioneve dhe zyrtarëve.

